Vendosni fjalën kyçe....

Cikli përtej bulevardit, një përsiatje ç’mund të bëhet më mirë (Arsimi)


Nga Olsi Bakalli

Në Shqipëri, historia politike shpesh shkruhet nga fituesit, por përditshmëria gjithmonë mbetet përgjegjësi e përbashkët. Me fitoren absolute të Edi Ramës më 11 maj 2025 dhe qëndrimin e tij në pushtet për një mandat të katërt – një precedent i pashoq në politikën shqiptare – vendi nuk ndodhet më në fazën e dilemës për “kush do qeverisë”, por në pyetjen shumë më të thellë: si do qeveriset?

E vërteta është se, pavarësisht fjalëve për stabilitet, përvoja na ka treguar se katër vitet e ardhshme mund të jenë po aq të zbrazëta sa katër të mëparshmet, nëse pushteti nuk e sheh veten më si një mjet kontrolli, por si një instrument zhvillimi. Dhe zhvillimi nuk është fjalë me katër rreshta në një program qeveritar që askush nuk e lexon – është një proces i gjatë, i ndërlikuar dhe mbi të gjitha, i maturuar mbi dije.

Është koha që Kryeministri,  i lodhur ndoshta nga fitoret e paracaktuara dhe nga një opozitë që zgjidhet vetë për të humbur, të kuptojë se pushteti pa përmbajtje është vetëm një pushtet që qëndron pezull. Dhe pikërisht tani, kur nuk ka më kë për të fajësuar, Rama ka një mundësi reale për të qeverisur jo thjesht për të mbijetuar, por për të lënë gjurmë që nuk maten me metrat e shesheve të rindërtuara apo kilometrat e rrugëve të asfaltuara. Ato maten me jetën që ndodh përbrenda.

Në këtë kuptim, debati publik që duhet të ngrejmë si qytetarë nuk ka të bëjë me emrat e ministrave, por me karakterin e sistemit qeverisës që duam të shohim. Është e domosdoshme që në themelin e çdo vendimi të jetë dija, jo impulsi; analiza, jo reagimi; dhe politika, jo si instinkt propagandistik, por si shkencë sociale. Shqipëria ka nevojë për një departament kërkimi strategjik pranë Kryeministrisë, të përbërë nga studiues të rinj, të pavarur, që ndihmojnë qeverinë të shohë përtej cikleve zgjedhore dhe krizave afatshkurtra. Le të jenë ata që shkruajnë dokumentet e bardha mbi arsimin, shëndetësinë, bujqësinë dhe administratën. Nëse ky departament nuk ekziston ende, atëherë është koha që të krijohet. Dhe nëse ekziston vetëm në letër, është koha që të mos sillet më si një zyrë stafi politik, por si një tru kombëtar i gjallë.

Për të parë përpara, duhet të fillojmë nga baza: arsimi, sidomos arsimi profesional, që në Shqipëri ka mbetur peng i një mentaliteti që e sheh zanatin si dështim, jo si mundësi. Në një vend ku mungojnë specialistë, ku fabrikat që kanë mbetur janë të pangopura për teknikë, elektricistë apo inxhinierë të mirë, dhe ku të rinjtë ikin sepse nuk gjejnë vendin e vet, arsimi profesional është më shumë se një alternativë – është një shpëtim. Nëse nuk investojmë aty, thjesht po edukojmë gjenerata për t’u bërë emigrantë.

Po ashtu, shëndetësia nuk mund të mbetet fushë për retorikë. Pas çdo slogani për spitale të ndriçuara, ekziston një pacient që pret me orë për të parë një mjek. Sistemi duhet të menaxhohet si një strukturë kritike për funksionimin e shtetit, me mjekë që nuk largohen, me infermierë që nuk mbijetojnë dhe me një infrastrukturë që nuk shembet para se të inaugurohet. Një menaxhim i tillë kërkon njerëz që kuptojnë sistemin, jo vetëm që dinë ta mbulojnë me ngjyra.

Administrata publike, nga ana tjetër, është pasqyra më e qartë e seriozitetit të një shteti. Shqipëria ka vuajtur shumë nga paaftësia për të ndërtuar një administratë që funksionon për qytetarin dhe jo për partinë. Reforma në pronësi, në taksim, në lejet dhe licencat, në digjitalizim të shërbimeve – të gjitha lidhen me një trupë administrate që di të zbatojë rregulla dhe jo urdhra. Dhe kjo administratë nuk do vijë nga ajri – duhet të krijohet me politika rekrutimi, trajnimi dhe promovimi të bazuara në meritë, jo në afërsi politike.

Në fund, çështja e emigracionit është plagë që shkon shumë më thellë se sa thjesht mungesa e shpresës. Është simptomë e një ekonomie të cunguar, ku bujqësia dhe blegtoria trajtohen si sektorë folklorikë dhe jo si shtylla ekonomike që mund të mbajnë turizmin, gastronominë dhe zhvillimin rural. Pa investime në zinxhirin e vlerës – nga prodhimi te përpunimi – Shqipëria do të vazhdojë të importojë produkte që mund t’i kishte eksporte.

Nëse kanë mbetur vetëm të rinj që duan të punojnë në shtet, dhe nëse të gjithë të tjerët duan të ikin, kjo nuk është mungesë dëshire, por mungesë kuptimi. Qeveria e re, nëse do të jetë më shumë se një kopje e zbehur e të mëparshmes, duhet të fillojë me një pyetje të thjeshtë: çfarë sistemi po ndërtojmë, dhe për kë? Nëse nuk ndërtojmë një sistem që të rrinë të mirët, atëherë do na mbeten vetëm ata që nuk kanë ku shkojnë. Dhe me ta, nuk ndërtohet dot as një vend, as një e ardhme.

  1. Arsimi në Shqipëri: Ura që s’çoi askund

Gjergji, me pallton e tij gri dhe një dosje të vjetër nën sqetull, ecte ngadalë bulevardit të Tiranës si çdo mëngjes të zakonshëm pranvere. Me një përzierje krenarie dhe trishtimi në sy, ai ndalej përballë Ministrisë së Arsimit, ndërtesës ku dikur kishte shpresuar se do ndodhnin ndryshimet për të cilat kishte punuar një jetë të tërë. Ishte mësuesi që kishte mbjellë dijen dhe besimin në brezat që tani ose kishin emigruar, ose ndiheshin të humbur në një sistem ku diploma është shpesh një dokument i panevojshëm për jetën që i pret pas shkollës. Një nga ish-nxënësit e tij ishte bërë mjek dhe kujdesej tani për të; një tjetër ishte zhdukur në Itali prej vitesh; një tjetër punonte në administratë, përballë absurditeteve burokratike që mësuesi i tij dikur përpiqej t’i luftonte me fjalë të urta dhe libra të shenjtë për dijen.

Në këtë vend, në vitin 2025, pyetja nuk është më nëse arsimi është çelësi i së ardhmes – kjo tashmë tingëllon si një klishe boshe – por nëse ky çelës hap ndonjë derë konkrete për të rinjtë. A mund të ecim përpara si shoqëri, kur më të mirët tanë ikin, të neveritur nga një sistem që nuk shpërblen dijen, por njohjet? Kur profesioni i mësuesit është kthyer në strehë për nxënësit nën-mesatarë dhe jo në zgjedhjen e parë të më të mirëve? Kur universitetet tona prodhojnë të diplomuar që dinë të citojnë teori, por nuk dinë të përgatisin një CV konkurruese jashtë vendit?

Përgjigjet janë të hidhura. Dhe arsimi, ashtu siç e shohim sot, është bërë një mjet për zbukurimin e CV-ve, jo për zhvillimin e mendjes kritike. Kjo përkon me vëzhgimet e shumë ekonomistëve të arsimit, si Eric Hanushek, i cili ka theksuar vazhdimisht se “cilwsia e mësuesve është faktori më i rëndësishëm për rezultatet në arsim” – por në Shqipëri, mësuesit janë lodhur nga lufta me një sistem që nuk i mbështet, nuk i trajnon vazhdimisht dhe nuk i shpërblen meritat. Profesori Hanushek, duke analizuar të dhënat ndërkombëtare, ka vënë në dukje se një sistem arsimor me performancë të ulët, jo vetëm që dëmton produktivitetin kombëtar, por edhe çon drejt pabarazisë më të thellë sociale dhe ekonomike.

Sot në Shqipëri, ndonëse sistemi arsimor është shtrirë gjerësisht dhe është përmirësuar në infrastrukturë, përmbajtja pedagogjike dhe cilësia e arsimimit mbeten thellësisht problematike. Universitetet, të degraduara shpesh në tregje diplomash, nuk arrijnë të krijojnë ura tw vwrteta me ekonominë e tregut dhe kërkesat e një bote që ndryshon përditë. Profesioni i mësimdhënësit nuk është më thirrje, por stacion i përkohshëm, shpesh i imponuar nga mungesa e mundësive të tjera. Kjo gjendje i çon të rinjtë drejt një ikjeje që nuk është vetëm fizike, por edhe mendore – një ikje nga ideja se Shqipëria mund të jetë vendi ku ëndrrat realizohen përmes dijes.

Në një raport të fundit të Komisionit Evropian për kapitullin 26 të negociatave, vihet theksi pikërisht në nevojën për të lidhur arsimin profesional me nevojat e tregut të punës dhe për të rritur kapacitetet kërkimore të universiteteve publike. Por këto mbeten fjali të bukura në një dokument, ndërsa në realitet, qeveritë shqiptare kanë dështuar të ndërtojnë një vizion afatgjatë mbi dijen. Për vite të tëra, është folur për reformë në arsimin profesional – por Shqipëria nuk ka ende një hartë reale të nevojave të tregut, e as një sistem të qëndrueshëm bashkëpunimi mes shkollave dhe sektorit privat. Shkollat profesionale nuk janë kthyer në alternativë reale për të rinjtë, por në një zgjedhje e cila shpesh i margjinalizon edhe më tej ata.

Nëse do kishte një prioritet urgjent për një qeveri të re në vitin 2025, ai do ishte krijimi i një sistemi arsimor që nuk është i ndarë nga realiteti ekonomik, teknologjik dhe social. Jo vetëm për të përgatitur të rinjtë për punë, por për të përgatitur qytetarë që mendojnë, që sfidojnë dhe që besojnë në vetvete. Në këtë drejtim, është thelbësore që në Kryeministri të ngrihet një departament i mirëfilltë kërkimi shkencor, ku akademikë, pedagogë, ekspertë të tregut të punës dhe politikëbërës të bashkëpunojnë për të dizenjuar politika arsimore të bazuara në të dhëna konkrete. Ashtu siç rekomandon edhe OECD, vendimmarrja në arsim duhet të bazohet gjithnjë në evidenca empirike dhe jo në intuita politike apo eksperimente të improvizuara.

Shteti shqiptar duhet të bëjë më shumë se thjesht të investojë në ndërtesa shkollash – duhet të investojë në njerëzit që mësojnë brenda tyre. Nga kurrikulat që lidhen me realitetin, te formimi i vazhdueshëm i mësuesve, nga biblioteka funksionale në shkolla, te sistemet dixhitale që ndihmojnë në mësimdhënie dhe jo vetëm në administratë – gjithçka duhet të rikthehet në themel dhe të rikonceptohet si një projekt i madh kombëtar.

Sepse në fund, pyetjet që ngritëm në fillim mbeten pezull mbi çdo politikë: A ka vlerë një diplomë nëse nuk të ndihmon të ndërtosh një jetë të qëndrueshme? A mund të ketë zhvillim pa dije, dhe dije pa drejtësi? A mund të quhemi të lirë, nëse shkollimi nuk sjell pavarësi ekonomike, por një biletë për në ambasadë?

Në vend që të prodhojmë më shumë emigrantë me diploma në dorë, është koha që arsimi të shndërrohet në gurin e themelit të një Shqipërie që jeton, jo vetëm që tregon bukuritë natyrore në Instagram. Arsimi nuk është dekor për programet politike – është themeli mbi të cilin ndërtohet liria, zhvillimi dhe qytetaria.

Dhe në fund, ndoshta do t’i kthehemi zotit Gjergji. E vetmja mënyrë për ta nderuar atë dhe qindra si ai është t’u japim atyre që vijnë pas tij një arsim që nuk prodhon zhgënjim, por të ardhme.

A është koha për një pakt të ri kombëtar për arsimin? A duhet të rishkruajmë të gjithë filozofinë mbi të cilën ndërtojmë dijen në këtë vend? A jemi të gatshëm të ndajmë privilegjin e dijes dhe ta bëjmë atë një të drejtë për të gjithë?

Këto janë pyetje që nuk mund t’i shtyjmë më. Dhe debati publik për to nuk është luks – është mbijetesë.