Vendosni fjalën kyçe....

Gazetari sportiv amerikan vdes në Katar në minutat shtesë të ndeshjes Argjentinë-Holandë


Një gazetar i njohur futbolli nga Shtetet e Bashkuara ka vdekur teksa mbulonte një ndeshje të Kupës së Botës në Katar.

Siç shkruan BBC, Grant Wahl, 48 vjeç, u rrëzua kur filloi koha shtesë në ndeshjen Argjentinë-Holandë të premten mbrëma.

Raportet e para sugjerojnë se ai mund të ketë pasur një atak në zemër, por kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Muajin e kaluar, Wahl u arrestua nga autoritetet e Katarit pasi u përpoq të hynte në një stadium i veshur me një këmishë ylberi, në mbështetje të të drejtave LGBT.

Në një deklaratë, Federata e Futbollit të SHBA-ve tha se ishte “zemërthyer” nga lajmi.

“Tifozët e futbollit dhe gazetarisë së cilësisë më të lartë e dinin se ne gjithmonë mund të mbështeteshim te Grant për të ofruar histori të detajuara dhe zbavitëse rreth lojës sonë dhe protagonistëve të saj kryesorë.”- thuhet në njoftim.

Në një postim në Twitter, gruaja e gazetarit, Céline Gounder, tha se ishte në “shok të plotë“, duke shtuar se ishte “shumë mirënjohëse” për mbështetjen që kishte marrë nga miqtë.

Wahl shkroi në faqen e tij të internetit të hënën se ai nuk ishte ndier mirë në 10 ditët e fundit dhe ishte duke marrë antibiotikë për bronkit.

“Ajo që kishte qenë një ftohje gjatë 10 ditëve të fundit u shndërrua në diçka më të rëndë në natën e ndeshjes SHBA-Holandë dhe mund të ndjeja që pjesa e sipërme e gjoksit të merrte një nivel të ri presioni dhe shqetësimi.

Unë nuk kam pasur Covid (jam testuar rregullisht këtu), por shkova sot në klinikën mjekësore dhe qendrën kryesore të mediave dhe ata thanë se ndoshta kam bronkit.”– shkruante gazetari.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino tha se dashuria e Wahl për futbollin ishte “e pamasë“, duke shtuar se raportimi i tij “do t’u mungojë të gjithë atyre që ndjekin lojën globale”.

Në fillim të kësaj jave, Wahl fitoi një çmim nga legjenda e futbollit brazilian Ronaldo për raportimin në tetë Kupa Botërore radhazi – e para ishte në SHBA në vitin 1994.