Vendosni fjalën kyçe....

Senatorja amerikane largohet nga Partia Demokratike


Senatorja e Arizonës, Kyrsten Sinema ka vendosur të largohet nga Partia Demokratike. Por kjo nuk do të thotë se ajo do të bashkohet me Partinë Republikane, përkundrazi po regjistrohet si e pavarur.

Ajo e ka pranuar këtë në një intervistë televizive për CNN.

“Jam regjistruar si e pavarur në Arizona. E di që disa njerëz mund të habiten pak nga kjo, por në fakt, mendoj se ka shumë kuptim.”– tha Sinema të enjten.

“Unë kurrë nuk jam futur mirë në asnjë kornizë partie. Unë kurrë nuk kam provuar vërtet. Nuk dua.”– shtoi ajo. Senatorja ndan mendimin se largimi i saj nga struktura e partisë do të përfaqësojë shumë njerëz në vend, “të cilët gjithashtu janë të lodhur nga partishmëria.”

Largimi i Sinemës nga Partia Demokratike nuk ka gjasa të ndryshojë balancën e pushtetit në Senatin e ardhshëm. Demokratët do të kenë një shumicë të ngushtë 51-49, e cila përfshin dy të pavarur që do të bashkohen me ta: Senatori Bernie Sanders i Vermontit dhe Angus King i Maine.

Ndërsa Sanders dhe King formalisht janë në grup me demokratët, Sinema nuk pranoi të thoshte në mënyrë eksplicite se do të bënte të njëjtën gjë.

Megjithatë, ajo vuri në dukje se pret të mbajë detyrat e saj në komite.

 “Kur të vij në punë çdo ditë, do të jetë njësoj”- tha Sinema. “Unë do të vij ende në punë dhe shpresoj të shërbej në të njëjtat komisione ku kam shërbyer dhe do të vazhdoj të punoj mirë me kolegët e mi në të dyja partitë politike.”