Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Edi Rama porositësi e organizatori i sulmit ndaj Berishës, kishte skenar për të provokuar dhunë


Kreu i Partisë së Lirisë e konsideron sulmin fizik ndaj kreut të PD-së Berisha në protestën e 6 dhjetorit si aktin më të rëndë që ka ndodhur në 32 vite pluralizëm politik.

Meta deklaroi se sipas të dhënave të deritanishme bëhet fjalë për një akt të mirëorganizuar, me prapavijë të qartë shtetërore, qeveritare, politike e mediatike.

Meta e bëri deklaratën në emisionin ‘Kontrast’ në Report Tv ku theksoi se qeveria i fryu idesë së konflikteve e provokimeve duke tentuar të krijojë tensione të panevojshme e dhunë.

“Të gjitha të dhënat dhe investigimi i deritanishëm që është bërë për të gjitha rrethanat tregojnë qartë se ishte një akt i mirëorganizuar. Kishte një prapavijë të qartë shtetërore, qeveritare, politike e mediatike. Autori ishte i mirëtrajnuar për një akt dhe një veprim të tillë. Ishte i infiltruar në ekipet e mediave që dilnin para drejtuesve të opozitës. Gjithçka ishte e mirëorganizuar. Nuk ka patur ide për të krijuar probleme nga opozita. Qeveria ka qenë e vetmja që i ka fryrë idesë së konflikteve, provokimeve. Opozita ka vepruar në mënyrën më paqësore, demokratike. Kështu veproi përgjatë manifestimit. S’kishte qëllim për të krijuar tension të panevojshme, kur Tirana ishte vend i mikpritjes së një samiti. Shqetësimet që ngritëm i kishim në raport me qeverinë tonë.

Qëndrim ndaj një vendi që prodhon qytetarë për gomonet e La Manshit. Është një inskenim mafioz, që ngarkon me përgjegjësi Edi Ramën që vuri në direkt në punë makinerinë e propagandës. Vetëm qeveria mund ta vendosë në dispozicion. Të gjithë e kanë të qartë se kush janë autorët dhe në ca shteti jetojmë. Ngjarja mund të kishte vajtur edhe në drejtime të tjera, sipas atyre që do kishte dëshiruar Rama të reagonte opozita. Autori është vetëm një, Rama është porositësi i këtij atentati kundër Berishës, gjuha  e tij e dhunës dhe gjithë mjetet që ka pasur në dispozicion në mënyrë të paligjshme. Skenar shumë i lexueshëm për ne dhe tashmë i dështuar.” – tha Meta.