Vendosni fjalën kyçe....

Dhurata Çupi në Kuvend: Miratoni minimumin jetik, e keni detyrim ndaj shqiptarëve


Deputetja e PD-së Dhurata Çupi në seancën e sotme plenare në Kuvend, i bëri thirrje qeverisë që të miratohet minimumi jetik.

Gjatë fjalës së saj, ajo tha se qeveria në 9 vite janë marrë borxh 4 miliardë euro, prej të cilave nuk është ndihmuar qytetari dhe as janë marrë masa për lehtësimin e jetesës për ta.

“Ju përmendni si arritje të madhe një rritje të papërfillshme të ndihmës ekonomike apo indeksimin e pensioneve. Është revoltuese si mund të talleni kaq rëndë me njerëzit, në një kohë kur çmimet rriten përditë dhe masat tuaj gjysmake janë gati të pavlera.

Është e pafalshme që ju, në 9 vjet në qeveri, keni marrë borxh rreth 4 miliardë euro, por nuk i keni përdorur ato për të luftuar varfërinë, për të nuk i keni përdorur për të rritur mirëqenien e njerëzve, duke e nisur me përcaktimin ligjor të minimumit jetik.

‘Shqiptarët që e kanë të domosdoshëm përcaktimin nga ana e qeverisë të minimumit jetik, duhet të kuptojnë se me këtë qeveri jo vetëm minimum jetik nuk do të kenë, por nuk do të kenë asnjë shpresë që të dalin nga varfëria’. Fjalia nuk është e imja. Po citoj Edi Ramën në opozitë 10 vjet më parë, kur premtonte lugën ë floririt për të gjithë. Unë e kam një përgjigje pse sot nuk ka një minimum jetik. Përtej politikës, që ka konfirmuar se ju jeni një qeveri e paaaftë dhe e korruptuar, në Shqipëri nuk ka akoma edhe pas 9 vitesh në qeveri të Partisë Socialiste, sepse ju nuk keni minimumin e ndjeshmërisë njerëzore.”- tha Çupi.

Deputetja thotë se asnjë investim tjetër nuk ka vlerë pa u zgjidhur më parë problemi i varfërisë ekstreme.

“Sot, pashë që qeveria po mburrej me një tender për ndërtimin e një piste garash shpejtesie. A ka nevojë Shqipëria për këtë? Po, ka. A ka mevojë Shqipëria për gjëra të tilla të ngjashme? Absolutisht po! Por asgjë nga këto nuk ka asnjë vlerë, nëse qeveria nuk ka zgjidhur më parë problemin e varfërisë ekstreme. Asnjë shoqëri nuk ka përparuar për shkak te fasadave.”- tha ajo.

Çupi u bëri thirrje deputetëve në Kuvend: “Mendoni veten tuaj ose prindrit tuaj, kur nuk ju dilte për jetuar dhe miratoni minimumin jetik! Është një detyrim që e keni ndaj shqiptarëve.”