Vendosni fjalën kyçe....

Berisha thirrje për OKB-në: Dënoni rastin e plagosjes së refugjatit egjiptian në Kukës dhe fshehjen nga Policia


Kryetari i PD-së Sali Berisha i ka bërë thirrje OKB-së dhe organizatave të tjera për të drejtat e refugjatëve që të dënojnë rastin e plagosjes së një shtetasi egjiptian në pikën kufitare të Morinës nga policia shqiptare.

Në një postim në rrjetet sociale, Berisha akuzon Policinë se ka fshehur krimin dhe sipas tij, në këtë ngjarje ka mbetur i plagosur dhe një person tjetër.

“Policia hap zjarr mbi refugjatët në Qytetin e Kukësit. Me breshëritë e saj përgjak qytetin. Ajo fsheh krimin e saj! Në këtë akt kriminal mbetet i plagosur shtetasi sirian Muhamet Harbi dhe shtetasi shqiptar Klevis Gjoni. Policia fsheh krimin e shëmtuar. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt kriminal shtetëror përdorimin e armëve ndaj refugjatëve të pambrojtur, plagosjen e shtetasit sirian dhe shtetasit shqiptar si një krim i mirëfilltë shtetëror.

 Dënoj fshehjen e krimit të rëndë nga autoritetet policore përgjegjëse për aktin e shëmtuar. Ju bëj thirrje OKB, organizatave tjera për të drejtat e refugjatëve të dënojnë me forcën më të madhe këtë krim dhe fshehjen e tij. I bëj thirrje Avokatit të Popullit të nisë menjëherë hetimet dhe të zbardhe plotësisht aktin kriminal të policisë së Edi Ramës.”- shkruan Berisha.

Rasti për të cilin shkruan Berisha ka ndodhur gjatë një operacioni për kapjen e klandestinëve në kufi me Kosovën për kalim të paligjshëm. 

Një egjiptian mbeti i plagosur nga një efektiv policie, i cili ka pretenduar se e ka qëlluar refugjatin aksidentalisht pasi është rrëzuar ndërsa vraponte mes shkurreve duke e ndjekur.