Vendosni fjalën kyçe....

Sot dita e dytë e aksionit të IKMT-së për shembjen e “Prestige Resort”


Vijon për të dytën ditë aksioni në “Prestige Resort”, që është në pronësi të grupit mediatik “Fokus Media Group”.

Siç kanë raportuar mediet e këtij grupi, forca të shtuara të policisë, IKMT-së si edhe forcat Xheniere janë të pranishme pranë resortit dhe fadromat e IKMT-së kanë nisur prishjen e disa pjesëve anësore.

Pronarët e punonjësit e resortit e konsiderojnë këtë shembje të paligjshme, pasi ishte me leje ndërtimi, paguante taksat dhe pretendojnë se nuk janë lajmëruar nga autoritetet për këtë shembje dhe prania e forcave policore dje në orën 7:00 të mëngjesit i zuri në befasi.

Vinin e kaluar në këtë resort u strehuan refugjatët afganë që u larguan nga vendi i tyre pas ardhjes së talibanëve në pushtet.

Pak muaj më parë, gjatë stinës së verës, IKMT-ja prishi një pishinë të Prestige Resort duke deklaruar se ishte pa leje, ndërkohë që e kundërta u pretendua nga përfaqësuesit e Prestige Resort.

Resorti në fjalë është pronë e biznesmenit Irfan Hysenbelliu ndërsa pjesë e grupit janë edhe mediat News24, Panorama e Balkanweb. Sipas mediave në fjalë, sulmi ndaj Prestige Resort vjen për shkak të politikës editorial kritike ndaj qeverisë.

Lidhur me këtë aksion ka pasur një sërë reagimesh nga politika. Kreu i PD-së Sali Berisha dhe ai i Partisë së Lirisë Ilir Meta, e kanë konsideruar këtë aksion një “hakmarrje primitive ndaj lirisë së mediave” të kryeministrit Edi Rama. Por ky i fundit thotë se forcat e IKMT-së vetëm sa kanë zbatuar ligjin pasi resorti ka qenë në shkelje ligjore.