Vendosni fjalën kyçe....

Shefi i NATO-s: Mbështetja “kritike” dhe e paprecedentë në Ukrainë do vazhdojë


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se mbështetja “kritike” dhe e paprecedentë e NATO-s në Ukrainë mbetet e vazhdueshme.

Ai po fliste në një konferencë shtypi pas takimit me Presidentin rumun Klaus Iohannis në Pallatin Presidencial  në Bukuresht, më 28 nëntor.  

“Marrëdhënia jonë është një partneritet shumë i ngushtë, është një marrëdhënie ku aleatët e NATO-s kanë dëshmuar gatishmërinë e tyre për të mbështetur Ukrainën në një mënyrë të paprecedentë.”– tha Stoltenberg sipas CNN.

“Kur ndodhi pushtimi, NATO nuk u befasua. Në fakt, ne jemi përgatitur, kemi qenë gati të përballemi me situata të tilla që kur filluam përshtatjen e madhe të NATO-s në 2014.”- u tha Stoltenberg gazetarëve në Bukuresht.

Stoltenberg përsëriti se lufta filloi në vitin 2014, duke iu referuar aneksimit të Krimesë nga Moska, me trupat kanadeze, trupat britanike dhe trupat amerikane të NATO-s që ndihmuan për të trajnuar forcat ukrainase atë vit.

“Lufta nuk filloi në shkurt të këtij viti, lufta filloi në pranverën e 2014. Dhe që atëherë, NATO ka zbatuar përforcimin më të madh, përshtatjen më të madhe të aleancës sonë që nga fundi i Luftës së Ftohtë, me më shumë prani në pjesën lindore të aleancës sonë.

Pra, realiteti ishte se kur pushtimi ndodhi në shkurt të këtij viti, krahasuar me vitin 2014, trupat dhe forcat e armatosura ukrainase ishin shumë më të trajnuara, shumë më të mëdha, shumë më të pajisura dhe të udhëhequra shumë më mirë.”– tha Stoltenberg sipas CNN. “Kjo është një nga arsyet kryesore pse ata ishin në gjendje të luftonin kundër.”

Ai shtoi se fitoret e ukrainasve kanë ardhur dhe falë trimërisë, guximit të trupave të tyre, por “ka qenë kritike që ata kanë marrë mbështetje nga partnerët në NATO, dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”.

“Fokusi kryesor tani është në mbështetjen e Ukrainës, duke siguruar që presidenti Putin të mos fitojë, por që Ukraina të mbizotërojë si një komb sovran dhe i pavarur në Evropë.”

Stoltenberg shtoi se aleanca po punon për të ndërtuar mbi marrëveshjen e bërë në samitin e NATO-s në Madrid në fillim të këtij viti.