Vendosni fjalën kyçe....

Meta për 6 dhjetorin: Manifestim pro-europian që gjithë Shqipëria e dëshiron


Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka zhvilluar homazhe sot me rastin e Ditës së Çlirimit te Varrezat e Dëshmorëve.

Pas homazheve, Meta deklaroi se dhjetori është për gjithë shqiptarët e ndershëm patriotë dhe liridashës muaji i demokracisë dhe i Europës.Ai konfirmoi me këtë rast dhe pjesëmarrjen në protestën e 6 dhjetorit.

“Nëntori për ne shqiptarët është muaji i pavarësisë, i çlirimit dhe lirisë. Dhe ju e dini që dhjetori po kështu për gjithë shqiptarët e ndershëm patriotë dhe liridashës është muaji i demokracisë dhe i Europës, kështu që pa asnjë diskutim që më 6 dhjetor ne do të jemi të gjithë për të brohoritur se do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, një vend të lirë, ku t’i jepet fund kapjes së shtetit dhe instalimit të mafies në pushtet.”- deklaroi Meta.

Protestën ai e konsideroi një manifestim pro-evropian.

“Nuk është njoftuar protestë ndaj kryetarit të bashkisë, bileta e tij pa kthim në 14 maj. Është njoftuar një manifestim pro-europian që gjithë Shqipëria dëshiron të japë mesazh mirënjohjeje dhe për të nxitur Shqipërinë të ecë ne rrugën e integrimin europian dhe procesit të Berlinit. Në Shqipëri nuk ka dhe nuk duhet të ketë asgjë më të rëndësishme se Kushtetuta.”– tha Meta.

Në një mesazh me rastin e 29 Nëntorit, Meta theksoi se është një ditë krenarie për sakrificat e pakufishme të asaj gjenerate patriotike që sakrifikoi jetën dhe dha gjithçka për lirinë e atdheut. Ai shtoi  se sakrifica e djemve dhe vajzave më patriotë që derdhën gjak nuk mund të çohet dëm.

“E rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Është një ditë krenarie për sakrificat e pakufishme të asaj gjenerate të re dhe patriotike që sakrifikoi jetën dhe dha gjithçka për lirinë e atdheut. Është një ditë mirënjohje për të gjithë ata që kundërshtuan pushtimin që në 7 prill 1939 dhe deri në ditën e çlirimit të atdheut dhe që e rreshtuan Shqipërinë në koalicionin e madh fitimtar kundër nazi-fashizmit. Sot është njëkohësisht një ditë reflektimi për t’u angazhuar të gjithë më shumë, e sidomos të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë sot për një betejë po kaq të rëndësishme që është forcimi i Shqipërisë, i pozitës së saj, i garantimit të së ardhmes së saj si një vend europian, demokratik, si një vend ku qytetarët e saj jo vetëm janë të lirë dhe të barabartë, por edhe janë plot besim dhe optimizëm për të ndërtuar të ardhmen pikërisht në këtë vend, pasi për lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi është derdhur gjaku i djemve dhe vajzave më patriotë, më atdhetarë, më të ndershëm dhe kjo sakrificë nuk mund të çohet dëm.”– deklaroi Meta.