Vendosni fjalën kyçe....

“Ndërgjegjësimi për kancerin e lëkurës”- Rreth 2 mijë e 500 vullnetarë pozojnë lakuriq në Australi


Rreth 2500 njerëz të zhveshur kanë pozuar për foto herët në mëngjes në plazhin Bondi të Sidneit. Kjo për një vepër arti, mesazhi i të cilës ishte ndërgjegjësimi për kancerin e lëkurës.

Siç shkruan BBC, instalimi është projekti më i fundit i fotografit amerikan Spencer Tunick, që synon të inkurajojë australianët që të bëjnë kontrolle të rregullta të lëkurës.

Fondi Botëror i Kërkimit të Kancerit thotë se Australia është vendi më i prekur në botë nga kanceri i lëkurës.

Që nga ora 3:30 e mëngjesit sipas orës lokale, vullnetarët u mblodhën në plazh për të marrë pjesë në instalimin, i bërë në bashkëpunim me organizatën bamirëse Skin Check Champions gjatë javës së ndërgjegjësimit për kancerin e lëkurës.

“Ne kemi një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për kontrollet e lëkurës dhe unë jam i nderuar… të vij këtu, të bëj artin tim dhe thjesht të festoj trupin dhe mbrojtjen.”- tha artisti me famë botërore Tunick.

Bruce Fisher, 77 vjeç, i cili mori pjesë në këtë ngjarje, i tha AFP: “Kam kaluar gjysmën e jetës sime në diell dhe kam hequr disa melanoma malinje nga shpina”.

“Mendova se kjo ishte një kauzë e mirë dhe më pëlqen të heq rrobat e mia në plazhin Bondi”.

Tunick është i njohur për krijimin e imazheve të nudove masive në disa nga vendet më ikonike të botës.