Vendosni fjalën kyçe....

Qarkullonin me armë në makinë/ Operacioni “Shqiponja” vë në pranga 4 persona, 3 prej tyre me precedentë kriminalë


Foto ilustruese

Finalizohet operacioni policor i koduar “Shqiponja”, me vënien në pranga të katër personave, tre prej të cilëve me precedentë kriminale.

Sipas Policisë, katër personat po udhëtonin me armë në makinë. Të arrestuarit janë Bledar Matoshi, 33 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje; Kid Koshena, 28 vjeç, i dënuar më parë për plagosje të rëndë; Klajdi Vrioni (Kodra), 32 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe për plagosje të rëndë; Ndërsa Redion Meshi, 22 vjeç, drejtonte automjetin ku u gjetën armët. Mjeti ishte në pronësi të shtetasit Vrionit.

NJOFTIMI I POLICISË

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4 dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, operacioni policor i koduar “Katrori”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.

Qarkullonin me automjet, në të cilin mbanin 2 armë zjarri pistoleta, vihen në pranga 4 shtetas, 3 prej tyre me precedentë kriminalë, në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe krimeve kundër personit.

Policia gjen edhe 2 armë zjarri kallashnikovë që i posedonte njëri prej personave të arrestuar.

Sekuestrohen gjithësej, në kuadër të këtij operacioni, 4 armë zjarri (2 pistoleta dhe 2 kallashnikovë).

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë, në vijim të kontrolleve për kapjen e shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri, mbështetur dhe nga inteligjenca informative, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Katrori”.

Si rezultat i këtij operacioni, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit: B. M., 33 vjeç; K. K., 28 vjeç; K. V. (K.), 32 vjeç dhe R. M., 22 vjeç.

Shërbimet e Policisë ndaluan në hyrje të fshatit Tujan, në rrugën e Arbërit, automjetin tip “Range Rover”  me të cilin qarkullonin këta 4 shtetas. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, u gjetën 2 armë zjarri pistoleta, me krehëra me municion luftarak, të fshehura poshtë kofanos së automjetit.

Në vijim të operacionit “Katrori”, u ushtrua kontroll edhe në banesat e këtyre shtetasve dhe si rezultat, në banesën e shtetasit të arrestuar R. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe 2 armë zjarri kallashnikovë dhe një sasi municioni luftarak.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 4 armë zjarri, një sasi e konsiderueshme municioni luftarak, 5 aparate celulare dhe automjeti me të cilin lëviznin 4 të arrestuarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.