Vendosni fjalën kyçe....

PD dhe PL kërkesë Nikollës: Debat pa kufizime për Portin e Durrësit, deputetët nuk mund të flasin nga 2.57 minuta


Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë i kanë kërkuar sot kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla që të kenë më shumë kohë në dispozicion deputetët për të folur, në debatin që do të zhvillohet nesër për Portin e Durrësit.

Konferenca e Kryetarëve ka vendosur që në seancën e nesërme në Kuvend për një debat prej 6 orësh për këtë pikë të rendit të ditës. Dhe deputetët kanë një maksimum kohe për të folur më pas se 3 minuta secili, që opozita e konsideron të pamjaftueshme. Ata kërkojnë 10 minuta kohë.

“18 deputetë të opozitës i kanë dorëzuar sot Kuvendit kërkesën për heqjen e kufizimizimit të të drejtës së deputetëve për të folur në maksimumin e kohës prej 10 minutash, për një nga çështjet më të rëndësishme dhe vjedhjes më të madhe qeveritare, Portit të Durrësit.”– thuhet në një njoftim të PD-së.

Në kërkesë thuhet se është i nevojshëm një debat të i plotë publik duke i mundësuar çdo deputeti të shprehet në lidhje me këtë çështje të një rëndësie kombëtare.

Deputetë i kërkojnë Kuvendit ndryshimin e rendit të ditës së seancës plenare:

  1. Të hiqet limiti kohor prej 6 orës në pikën 4 të Rendit të ditës,
  2. Çdo deputeti t’i jepet e drejta të flasë 10 minuta në lidhje me këtë çështje, siç Rregullorja e Kuvendit përcakton.

 

KËRKESA

Kërkese për ndryshimin e kohës së debatit për pikën 4 të rendit të ditës së seancës plenare datë 24.11.2022

Drejtuar: Znj. Lindita NIKOLLA

KRYETARE E KUVENDIT TË SHQIPËRISË

Sikurse është bërë e ditur përmes Urdhërit Nr. 88, dt 22.11.2022, dhe Njoftimit për Rendin e Ditës, për pikën Nr. 4, Projektligj “Për miratimin e Marrëveshjes Kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, Sh.A. dhe Nshmi Development L.L.C, në lidhje me Projektin e Investimit strategjiik “MARINA & JAHTET E DURRËSIT”, është përcaktuar një limit kohor jo më shumë se 6 orë. Në një përllogaritje të thjeshtë, për cdo deputet është planifikuar një kohë prej 2,57 minuta. Port i Durrësit është një nga pasuritë më të mëdha të Shqipërisë. Me pozitën gjeografike ky Port është i rëndësie strategjike jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin. Bashkimi Europian, përmes Komunitetit të Transportit ka vlerësuar së fundmi, se Porti i Durrësit në Shqipëri dhe Porti i Tivarit në Malin e Zi kanë rëndësi strategjike për transportin detar në rajon pasi e lidhin atë me rrjetin kryesor Europian të transportit. Duke qenë e një rëndësie të tille, përtej faktit që nuk ka asnjë emergjencë kombëtare për ta kaluar në mënyrë të përshpejtuar, në asnjë MËNYRË NUK MUND TË ÇMOHET shkurtimi i kohës së diskutimit, duke përdorur Nenin 48, Pika 3, që është përjashtim kufizues. Por e kundërta, është i nevojshëm një debat të i plotë publik duke i mundësuar çdo deputeti të shprehet në lidhje me këtë çështje të një rëndësie kombëtare. Ndaj bazuar në Nenin 48 të Rregullores së Kuvendit

KËRKOJMË

Ndryshimin e rendit të ditës së seancës plenare si më poshtë vijon:

  1. Të hiqet limiti kohor prej 6 orës në pikën 4 të Rendit të ditës,
  2. Çdo deputeti t’i jepet e drejta të flasë 10 minuta në lidhje me këtë çështje,

siç Rregullorja e Kuvendit përcakton.

Duke ju falenderuar për bashkëpunimin.