Vendosni fjalën kyçe....

John McFall bëhet astronauti i parë me aftësi ndryshe i Agjencisë Evropiane të Hapësirës


Një britanik do të jetë astronauti i parë me aftësi ndryshe të Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA).

Siç shkruan “Sky News”, John McFall u zgjodh nga ESA për t’iu bashkuar programit të saj të trajnimit dhe mund të jetë personi i parë me aftësi ndryshe që shkon në hapësirë.

41-vjeçari humbi këmbën e djathtë në një aksident me motor kur ishte 19 vjeç dhe vazhdoi të garonte për Britaninë e Madhe në Lojërat Paralimpike.

John McFall

Sipas ESA-s, asnjë agjenci e madhe hapësinore perëndimore nuk ka vendosur ndonjëherë një “para-astronaut” në hapësirë.

McFall do t’i bashkohet trupës së trajnimit hapësinor për të parë nëse ai mund të jetë personi i parë me aftësi të kufizuara që do të shkojë në hapësirë.

Astronomja britanike Rosemary Coogan është emëruar gjithashtu si anëtare e grupit të ri. Coogan ka dy diploma master nga Universiteti i Durhamit dhe një doktoraturë në astronomi nga Universiteti i Sussex.

McFall dhe Coogan ishin mes mbi 22 mijë e 500 kandidatëve që aplikuan, një listë që përfshinte më shumë gra se kurrë dhe rreth 200 persona me aftësi të kufizuara.

Rosemary Coogan

Rosemary Coogan

Kandidatët finalistë i janë nënshtruar shqyrtimit intensiv gjatë vitit të kaluar. ESA kishte kërkuar në mënyrë specifike njerëz me vështirësi fizike për një përpjekje të parë, për të përcaktuar se çfarë përshtatjeje do të ishin të nevojshme për t’i akomoduar ata në stacionet hapësinore.