Vendosni fjalën kyçe....

Probleme të shumta nga shirat në Shkodër e Lezhë, zhvendosen dhjetëra familje, përmbyten sipërfaqe të mëdha


Shirat e dendur kanë shkaktuar probleme në mbarë vendin, ku ka rrugë të bllokuara, mungesë energjie elektrike e sipërfaqe të mëdha toke nën ujë.

Më probpematike mbetet gjendja në qarqet Shkodër e Lezhë, ku dhjetëra familje është dashur të evakuohen për shkak të rrezikut nga përmbytja.

Në fshatin Kuç të Shkodrës, dhjetëra banesa janë nën ujë ndërsa banorët janë larguar gjatë natës. Në zonë ndodhen forca të ushtrisë që mundësojnë transportin e njerëzve me mjete të larta ose varka.

Probleme ka edhe në Bërdicë ku janë zhvendosur 20 familje të cilat rrezikonin më shumë nga uji. Familjet janë dërguar në konvikte ose kanë shkuar te familjarët e tyre deri në largimin e rrezikut.

Në zonat e thella të Malësisë së Madhe kanë nisur sot reshjet e borës. Reshje ka pasur në Vermosh, Qafë Thote, Theth e Tamarë.

Në qarkun e Lezhës ka mbi 1 mijë hektarë tokë bujqësore nën ujë. Më problematike paraqitet gjendja në fshatrat Torovicë, Zadrimë e Karriq. Në Fushë Krujë lumi Ishëm ka dalë nga shtrati duke përmbysur sipërfaqe toke në disa fshatra.

Në jug të vendit më shumë probleme deri tani janë shfaqur në Gjirokastër e Tepelenë ku ka bllokime rrugë në disa fshatra si dhe mungesë energjie elektrike.