Vendosni fjalën kyçe....

Përplasje në mbledhjen e PS-së, Rama ultimatum Spiropalit: “O me ne, o përballë nesh”


Mbledhja e sotme e grupit parlamentar të Partisë Socialiste është shoqëruar me tensione të larta dhe një përplasje të papritur mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministres Elisa Spiropali.

Sipas burimeve brenda mbledhjes, shkak janë bërë postimet e fundit të Spiropalit në rrjetet sociale, ku ajo ka shfaqur nota kritike ndaj linjës së partisë, gjë që nuk është pritur mirë nga kreu i qeverisë.

Rama ka kërkuar që debatet e brendshme të mos kthehen në “drama publike” dhe ka kërkuar disiplinë të rreptë në komunikimin e anëtarëve të grupit me ndjekësit e tyre.

Ai ka përdorur një gjuhë ultimatumi, duke e bërë të qartë se nuk do të tolerojë më lëkundje në votime apo qëndrime të ndryshme nga ato të shumicës, raporton Balkanweb.

“Ose je me ne, ose përballë nesh! Herën e parë nuk votove, të dytën bëre çarçaf, të tretën del nga grupi”, mësohet t’i jetë drejtuar Rama-Spiropalit gjatë mbledhjes.

Nga ana e saj, Spiropali ka tentuar të sqarojë pozicionin e saj dhe arsyet e postimeve, por kryeministri ka ndërprerë reagimin e saj, duke mos i lënë hapësirë për diskutim të mëtejshëm në atë moment.