Vendosni fjalën kyçe....

‘Lufta e çipave’, ministrja holandeze ‘kundër’ propozimeve të SHBA-së: S’mund të ndjekim verbërisht diktatin


Shtetet e Bashkuara nuk duhet të presin që Holanda të miratojë padiskutim qasjen e saj ndaj kufizimeve të eksportit të Kinës, paralajmëroi ministrja e Tregtisë, duke sinjalizuar një pengesë të mundshme për luftën tregtare të administratës Biden.

“Holanda nuk do kopjojë masat amerikane një për një.” – tha ministrja e Tregtisë Liesje Schreinemacher në një intervistë me gazetën NRC.

“Ne do bëjmë vlerësimin tonë dhe këtë e bëjmë në këshillim me vendet partnere si Japonia dhe SHBA-ja.”

Komentet shënuan herën e parë që zyrtarët holandezë kanë paraqitur publikisht qëndrimin e tyre mbi këtë çështje. Administrata Biden po shtyn për një marrëveshje shumëpalëshe për të vendosur kufizime ndaj Kinës, duke synuar të mbajë teknologjitë e përparuar të çipeve kinezë larg vendit e ushtrisë së tij.

Edhe pse Holanda e Japonia ndajnë shumë nga shqetësimet e sigurisë së SHBA-së, të dy vendet e shohin gjithashtu Kinën si një treg të madh në të cilin do dëshironin të ruanin qasjen.

Holanda është çelësi i luftës, sepse ASML Holding NV e vendit është një nga pak kompanitë që dominojnë tregun për pajisjet e prodhimit të gjysmëpërçuesve. Pa dhënë shumë hollësi, Schreinemacher tha se Holanda ka të ngjarë të vendosë kontrolle të caktuara të eksportit në Kinë. Qeverisë holandeze i duhet më shumë kohë për të vendosur mbi rregullat e reja të mundshme, tha ajo.

Në fillim të tetorit, administrata Biden zbuloi masa gjithëpërfshirëse që synojnë kufizimin e aftësive të Kinës për të siguruar çipa të avancuar të inteligjencës artificiale dhe pajisje për prodhimin e gjysmëpërçuesve, duke tronditur industrinë globale të çipave prej 580 miliardë dollarësh.