Vendosni fjalën kyçe....

Konfiskimi i kokainës kthehet në problem në Belgjikë, ka kapur më shumë nga sa mundet të asgjësojë


Agjentët doganorë në Belgjikë kanë sekuestruar më shumë kokainë sesa mund të asgjësojnë, thanë zyrtarët për median lokale VRT News të shtunën.

Vlerësohet se më shumë se 100 ton drogë, me vlerë rreth 5 miliardë euro, janë kapur në portin e Antwerpen këtë vit. Kjo vjen pasi në vitin 2021 u konfiskuan një rekord prej 90 tonësh.

“Ka pasur pengesë për asgjësimin e kokainës duke qenë se ka pasur shumë konfiskime dhe gjithashtu sepse në përdorim ka qenë vetëm një incinerator.” – i tha gazetës ministri i Drejtësisë Vincent Van Quickenborne.

“Për më tepër, ju nuk mund t’i digjni këto tufa me shumicë, pasi kjo do shkaktonte probleme me filtrat në impiantin e djegies. Vetëm 1,000 kg ose më së shumti 1,500 kg drogë mund të shkatërrohen në një seancë të vetme, tha ai.

Një përfaqësues i FPS Finance, agjencia mëmë e shërbimit doganor të Belgjikës, ra dakord. “Shkatërrimi i shpejtë i mallrave të konfiskuara është një sfidë e vazhdueshme.” – tha zëdhënësi Francis Adyns për gazetën lokale Gazet van Antwerpen.

“Për shkak të kufizimit teknik të inceneratorëve të licencuar dhe standardeve mjedisore, ne duhet të përdorim disa inceneratorë.” – shtoi ai.

Van Quickenborne tha se zyrtarët e doganave janë duke negociuar me ministrin e Mjedisit Zuhal Demir, i cili mbikëqyr inceneratorët, duke shtuar se bisedimet ‘po shkojnë mirë’. Zyra e Demir ka kontaktuar Agjencinë Publike të Mbetjeve të Flanders (OVAM), e cila po kërkon gjithashtu kapacitete shtesë djegëse, tha një zëdhënës për VRT.

Dogana zbuloi rreth tetë ton kokainë në një kontejner të vetëm në Portin e Antwerp muajin e kaluar. Droga, me vlerë mbi 200 milionë euro, ishte fshehur në një ngarkesë me banane nga Ekuadori. Autoritetet lejuan që dërgesa të vazhdonte në destinacionin e saj përfundimtar në Holandë, duke çuar në arrestimin e katër personave.

Porti i Antwerp-it ishte vendi i kapjes më të madhe të kokainës në Belgjikë në vitin 2020, kur pesë kontejnerë me hekurishte nga Guajana u zbuluan se fshihnin 11.5 ton kokainë me vlerë 900 milionë euro. Në mesin e të arrestuarve ishin zyrtarë të policisë dhe portit.