Vendosni fjalën kyçe....

Agron Shehaj çon në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për t’i hequr mandatin Olta Xhaçkës


Deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj thotë se ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të kundërshtuar vendimin e marrë një ditë më parë nga Kuvendi për bllokimin e kërkesës së tij për t’i hequr mandatin Olta Xhaçkës.

“Por Partia Demokratike është e vendosur që t’i shkojë deri në fund betejës me korrupsionin galopant dhe abuzimet e pafundme të kësaj qeverie. Ndaj në emër të Partisë Demokratike sapo dorëzova në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për kundërshtimin e vendimit të djeshëm të Kuvendit si dhe atë për konstatimin e papajtueshmërisë me kushtetutën të mandatit të zonjës Xhaçka.”- deklaroi Shehaj nga selia blu.

Ai thekson se Olta Xhaçka nuk mund të jetë njëkohësisht edhe ministre e jashtme edhe investitore strategjike, edhe deputete edhe pronare e plazhit publik. Ndaj sipas tij i takon Gjykatës Kushtetuese të marrë vendimin.

Deklarata e plotë e Shehajt

Të dashur qytetarë,

Pasi e zvarriti pa fund, një ditë më parë, maxhoranca bllokoi në parlament dërgimin në gjykatën kushtetuese të kërkesës për shqyrtimin e papajttueshmërisë me kushtetutën për mandatin e zonjës Olta Xhaçka.

Me këtë votim të turpshëm, maxhoranca e shndërroi Parlamentin edhe një herë tjetër në një mburojë për korrupsionin e qeveritarëve të saj.

Ky është një akt shumë i rëndë. E megjithatë, jo surprizë për ne. Sepse në këto 10 vjet, kjo maxhorancë dhe kjo qeveri vetëm këtë kanë bërë. Kanë shfrytëzuar pushtetin për të vjedhur dhe për t’u pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe më pas kanë përdorur kartonat e Parlamentit si mburojë për korrupsionin e tyre.

Por Partia Demokratike është e vendosur që t’i shkojë deri në fund betejës me korrupsionin galopant dhe abuzimet e pafundme të kësaj qeverie. Ndaj në emër të Partisë Demokratike sapo dorëzova në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për kundërshtimin e vendimit të djeshëm të Kuvendit si dhe atë për konstatimin e papajtueshmërisë me kushtetutën të mandatit të zonjës Xhaçka.

Zonja Xhaçka nuk mund të jetë njëkohësisht edhe ministre e jashtme edhe investitore strategjike. Nuk mund të jetë edhe deputete edhe pronare e plazhit publik. Ndaj i takon Gjykatës Kushtetuese të marrë vendimin formal, të asaj që ligji dhe Kushtetuta e diktojnë fare qartë.