Vendosni fjalën kyçe....

Apeli i ambasadorit britanik për shqiptarët: Mos udhëtoni ilegalisht, braktisja e vendit nuk është zgjidhje (VIDEO)


 

Ambasadori britanik Alastair King-Smith ka publikuar një videomesazh për shqiptarët duke iu bërë thirrje që të mos shkojnë në Britani me gomone, apo në rrugë të tjera të paligjshme.

Ai thotë se shqiptarët mund të gjejnë alternativa të tjera të ligjshme për të shkuar në Britani, ku edhe mund të integrohen.

King-Smith thotë se qeveritë e dy vendeve po punojnë së bashku për këtë çështje që shqiptarët të kuptojnë se nuk është zgjidhje për të braktisur vendin.

“Siç jeni në dijeni nga raportimet e fundit në media, ne po përballemi me një sfidë të përbashkët, rritjen e numrit të shqiptarëve që po shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të paligjshme.

Të dy qeveritë tona po punojnë bashkërisht për t’u treguar njerëzve se ka alternativa, qoftë këto të lidhura me mundësitë e vlefshme brenda Shqipërisë apo përmes rrugëve të ligjshme për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar.

Unë përsëris apelin tim për të rinjtë dhe familjet e tyre, të mos udhëtojnë në mënyrë të paligjshme. Ata rrezikojnë jetën, rrezikojnë të shfrytëzohen nga trafikantë kriminelë dhe po rrezikojnë çdo shans për të udhëtuar në mënyrë të ligjshme në të ardhmen, jo vetëm në Mbretërinë e Bashkuar por edhe në shumë vende të tjera.

Ne po punojmë për të garantuar që komuniteti shqiptar të marrë vlerësimin e duhur për kontributin e tij dhe që shqiptarët këtu të mos mendojnë se zgjidhja e vetme është të braktisin vendin.” -tha Ambasadori britanik Alastair King-Smith.

Kjo thirrje e ambasadorit britanik vjen në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Mbretërisë së Bashkuar edhe Shqipërisë, ku u çel edhe një ekspozitë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, e cila do të jetë e hapur për publikun, nga ora 09:00 19:00 deri të shtunën më 19 Nëntor.