Vendosni fjalën kyçe....

“The Simpsons” parashikon përsëri të ardhmen


“The Simpsons” duket se ka parashikuar edhe një herë të ardhmen, kjo pas njoftimit të Donald Trump se do të rikandidojë për president të SHBA-ve në 2024.

Skenaristi Al Jean, ndau një imazh nga një episod i vitit 2015 i serialit vizatimor, ku shfaqet Homer Simpson duke fluturuar dhe një tabelë në sfond që lexon “Trump 2024”.

Ky postim vjen pasi ish-presidenti amerikan tha të martën se do të organizonte zyrtarisht një fushatë të tretë për Shtëpinë e Bardhë.

Një skenar i ngjashëm me ngjarjet në Ukrainë është parashikuar gjithashtu më parë në një episod të serialit vizatimor, që e komenton Al Jean.

Episodi i vitit 1998, i titulluar “Simpson Tide” bën shaka se Bashkimi Sovjetik nuk u shpërbë kurrë me të vërtetë pasi trupat dhe tanket e ushtrisë mbërrijnë në rrugë dhe Muri i Berlinit ringjallet.

Al Jean i tha agjencisë së lajmeve PA se ai ishte “me të vërtetë i trishtuar që kjo u bë realitet, por jo i befasuar”.

“Thuhet se ekzistojnë dy lloje të parashikimeve të Simpsons.”- tha ai sipas Daily Mail.

“Ka rastësi të çmendura si Trump, pastaj ka gjëra të tilla ku jam shumë i trishtuar që u realizua, por jo i befasuar.”

Seriali vizatimor amerikan ka shfaqur episode me shumë fytyra të famshme ndër vite, duke përfshirë ish-kryeministrin Sir Tony Blair, Sir Paul McCartney dhe së fundmi këngëtaren Billie Eilish.