Vendosni fjalën kyçe....

Ina Zhupa dorëzon në Kushtetuese padinë për Koncesionin e Parkut të Butrintit


Deputetja e PD-së Ina Zhupa ka deklaruar sot se po depoziton një padi në Gjykatën Kushtetuese për Koncesionin e Parkut Kombëtar të Butrintit, duke kërkuar shfuqizimin e tij, nismë e firmosur nga 36 deputetë të opozitës.

Në deklaratën e dhënë para hyrjes në gjykatë, ajo tha se bëhet fjalë për një koncesion që do sjellë dëme të pariparueshme për pasurinë e trashëgiminë kombëtare.

“Jemi përpara Gjykatës Kushtetuese. Do të depozitojmë padi kundër koncensionit të Butrintit. Kërkojmë pezullimin e menjëhershëm të ligjit, pasi krijon dëme të pariparueshme. Kjo padi duhet dorëzuar nga të paktën 28 deputet të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa ne kemi ardhur me 36 firma ku 1 është ajo e deputetit Dashamir Shehi, 3 janë nga deputetët e Partisë së Lirisë dhe të tjerat nga deputetët e PD-së. Lidhet me vjedhjen e pasurisë së përbashkët publike, është një padi e përgatitur nga katër avokatë dhe do fitohet. Do fitojë Butrinti, do fitojnë shqiptarët.” – tha Zhupa.

Deputetja demokrate Zhupa e e ka kundërshtuar me forcë dhënien me koncesion të Parkut të Butrintit duke thirrur në disa raste në interpelancë ministren e Kulturës Elva Margariti.

Zhupa ka kërkuar largimin e Richard Hodges nga bordi, lidhur me deklaratat e mëhershme të tij  se Saranda e Butrinti janë greke dhe se popullsitë shqiptare janë sjellë aty pas marrëveshjes së Fuqive të Mëdha për themelimin e shtetit shqiptar.