Vendosni fjalën kyçe....

Polici spanjoll dënohet me 15 muaj burg për postim të rremë në Twitter


Një përdorues spanjoll i Twitter-it është bërë personi i parë në vend i burgosur për publikimin e ‘lajmeve të rreme’, pasi ai pretendoi se një burrë i parë në video duke sulmuar një grua ishte një përdhunues maroken. Ai gjithashtu është gjobitur dhe urdhëruar që të ‘kryejë një kurs mbi barazinë dhe të drejtat e njeriut’.

I pandehuri, i cili është punonjës policie, pranoi një marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe u dakordësua me dënimin prej 15 muajsh burg, raportoi El Mundo të martën. Gjykata e Lartë e Barcelonës tani do vendosë nëse do e pezullojë dënimin apo do e dërgojë në burg personin në fjalë. Përveç kësaj, ai është gjobitur me 1,620 euro, është ndaluar të krijojë ‘profile në internet për të shpifur’ dhe është urdhëruar ‘të ndjekë një kurs për barazinë dhe të drejtat e njeriut’, sipas mediave.

Rasti filloi në vitin 2019 me përdhunimin e një gruaje në Canet de Mar, një qytet buzë plazhit në veri të Barcelonës. Pas ngjarjes, i pandehuri ka postuar një video të një burri që godet me shqelma dhe grushta një grua, përpara se ta tërhiqte zvarrë përtokë nga flokët e saj.

Ai pretendoi në postimin e tij se burri ishte një maroken që merrte përfitime nga qeveria në Canet de Mar dhe se ‘grupet e marokenëve’ ishin përgjegjës për më shumë sulme seksuale në zonë.

Videoja nuk kishte lidhje me përdhunimin dhe në fakt ishte filmuar në Kinë. Megjithatë, policia arrestoi dy emigrantë të mitur afrikano-veriorë për përdhunimin në Canet de Mar. Një adoleshent përdhunoi gruan, ndërsa tjetri regjistroi sulmin, tha policia.

Ndërsa kombësia e dy të dyshuarve nuk u identifikua në media, ata ishin vendosur në një qendër strehimi për emigrantët nga Afrika e Veriut.

Qeveria spanjolle miratoi ligjin e saj të diskutueshëm ‘Ndërhyrja kundër dezinformimit’ në vitin 2020, duke lejuar autoritetet të vëzhgojnë mediat sociale për informacion të rremë dhe të ndëshkojnë ata që janë përgjegjës.

Ligji u dënua nga Reporterët pa Kufij, të cilët thanë se ai do ‘gërryente lirinë e shtypit’ dhe do i jepte qeverisë ‘fuqinë për të vendosur se çfarë është dhe çfarë nuk është dezinformatë’.