Vendosni fjalën kyçe....

Katari kritikon ashpër karikaturën ‘raciste’ francize në prag të nisjes së Botërorit


Një karikaturë e publikuar nga ‘Le Canard enchaine’ e Francës, e cila tregon futbollistët e Katarit të veshur si terroristë, është kritikuar ashpër nga komentuesit e zemëruar në rrjetet sociale.

Pamja fyese tregon disa burra me mjekër që me sa duket kanë veshur fanella futbolli me fjalën ‘Katar’, ndërsa mbajnë një arsenal armësh duke përfshirë thika, armë dhe raketahedhës.

Një prej tyre duket se mban eksploziv, ndërsa të tjerët janë të stolisur me kapuç dhe mjete të tjera terroriste.

Pamja, që u publikua në numrin e tetorit të ‘Le Canard enchaine’, përkon me Botërorin e futbollit që nis në Katar pas pak ditësh. Vendi i Gjirit është përballur me kundërshtime të konsiderueshme globale duke pasur parasysh akuzat për abuzime që përfshijnë punëtorët emigrantë dhe një qëndrim të ashpër për çështjet LGBTQ.

Duke reaguar ndaj karikaturës, Hamad Al-Kawari, i cili është presidenti i Bibliotekës Kombëtare të Katarit, shkroi në Twitter se Franca duhet të tregojë ‘pak sportivitet’ përpara turneut dhe sugjeroi se botimi ishte përfshirë në ‘gënjeshtra, urrejtje dhe mëri’.

Figura të shumta brenda Francës e kanë kundërshtuar me zë të lartë vendimin për t’i dhënë Kupën e Botës Katarit, ndërsa autoritetet pariziane së fundmi njoftuan se nuk do shfaqnin ndeshjet e Kupës së Botës në të ashtuquajturat zona tifozësh.

Një kritikë e tillë bëri që Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, muajin e kaluar të kritikonte atë që ai pretendoi se ishte një ‘fushatë e paparë’ për të denigruar shtetin e Gjirit.