Ish-kryebashkiaku Salvador Kaçaj ka prezantuar sot kandidaturën e tij në Primaret e PD-së, pasi synon të garojë për drejtimin e Bashkisë së Lezhës.
“Unë Salvador Pretash Kaçaj deklaroj kandidaturën time për zgjedhjet PRIMARE në Partinë Demokratike të Shqipërisë për Bashkinë Lezhë.
Duke vlerësuar dhe njohur shumë mirë komunitetin, anetarët e Partisë Demokratike, simpatizantët e kësaj forcë politike dhe vullnetin për ndryshim në qytetin tim të Lezhës, mendoj se ka kaluar koha për t’ia kthyer drejtimin e Bashkisë sonë, të grabitur nga Rilindasit, Edi Rama dhe Pjerin Ndreu, PD dhe demokratëve, aq të shumtë në numër e të fortë në zemër.”– tha Kaçaj në një deklarayë për mediet nga selia blu.
Ai shton se qyteti i Lezhës është gjithccka për të: “Lezha është gjithçka për mua. Në këtë qytet u linda, kalova fëmijërinë dhe rininë. Në çdo rrugë, lagje dhe gur, kam kujtimet e mia të pashlyera. Aty kam emocionet e gjalla dhe pjesën më të bukur të jetës time. Në Lezhë unë kam shoqërinë dhe miqësinë e vërtetë që buron prej gati gjysmë shekulli me elementet më të bukur njerëzor.”
Sipas tij, fakti që qeveria nuk ka asnjë projekt për Portin e Shëngjinit, tregon “urrejtjen për Veriun”.
FJALIMI I PLOTË
“Të nderuar lezhjanë e lezhjane, demokratë dhe demokrate.
Unë Salvador Pretash Kaçaj deklaroj kandidaturën time për zgjedhjet PRIMARE në Partinë Demokratike të Shqipërisë për Bashkinë Lezhë.
Duke vlerësuar dhe njohur shumë mirë komunitetin, anetarët e Partisë Demokratike, simpatizantët e kësaj forcë politike dhe vullnetin për ndryshim në qytetin tim të Lezhës, mendoj se ka kaluar koha për t’ia kthyer drejtimin e Bashkisë sonë, të grabitur nga Rilindasit, Edi Rama dhe Pjerin Ndreu, PD dhe demokratëve, aq të shumtë në numër e të fortë në zemër.
Për të kërkuar votat tuaja në PRIMARET historike, realizuar nga Partia Demokratike unë bazohem në një pafundësi arsyesh, që më lidhin me qytetin tonë të Lezhës.
- Eksperienca ime 4 vjeçare në drejtimin e Komunës së Shëgjinit.
Të gjithë lezhjanët e dinë se me një punë kolosale ne arritëm ta kthejmë Shëngjinin në perlë të turizmit bregdetar, jo vetëm për shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi por për mbarë Europën.
Në Shëngjinin e rinovuar të Lezhës, përveç turizmit, ne gdhendëm me këmbëngulje traditat dhe historinë kulturore të trevës lezhjane, duke zgjuar interesim ndërkombëtar për viset tona të vendlindjes.
- Lezha është gjithçka për mua. Në këtë qytet u linda, kalova fëmijërinë dhe rininë. Në çdo rrugë, lagje dhe gur, kam kujtimet e mia të pashlyera. Aty kam emocionet e gjalla dhe pjesën më të bukur të jetës time. Në Lezhë unë kam shoqërinë dhe miqësinë e vërtetë që buron prej gati gjysmë shekulli me elementet më të bukur njerëzor.
- Me deformimet që po vuan qyteti ynë në këto vite të Rilindjes, me Bashki të vjedhur politikisht dhe të drejtuar keq, perla e veriut të Shqipërisë, nëpërmjet administrimit serioz duhet të ndryshojë gjithçka.
Ky ndryshim fillon që nga punësimi, rritja e të ardhurave, stimulimi i prodhimit, infrastruktura, sistemi arsimor dhe shëndetësor, ndihma për pensionistët dhe familjet në nevojë, e deri tek lidhjet me jashtë nëpërmjet binjakëzimit e bashkëpunimit.
Ne jemi qytet – port i rëndësishëm, por i nënvlerësuar, i lënë në harresë qëllimisht nga politikat antikombëtare të Qeverisë Rama.
Qeveria e majtë, edhe pse ka gllabëruar të gjitha pushtetet, nuk ka folur asnjëherë për portin e Shëngjinit. Në ligjëratat dhe programet e saj kanë dominuar porti i Durrësit, Vlorës dhe Sarandës, natyrisht për përfitime të caktuara politike dhe ekonomike. Rama kurrë nuk e përmendi portin e Shëngjinit, duke e lënë atë në degradim e kështu duke lënë Lezhën në mjerim.
Një provë më shumë e urrejtjes së tij për veriun, për Lezhën dhe Lezhjanët.
- Mungesa e vëmendjes ndaj Lezhës dhe keqmenaxhimi i rilindjes në këto vite të pushtetit totalitar, ka sjellë largimin e mijëra njerëzve, kryesisht të rinj. Pushteti Vendor, i orientuar mirë politikisht dhe i investuar saktë ekonomikisht, është rruga për të përmirësuar plagën më të rëndë kombëtare sot, Hemorragjinë Njerëzore.
Ne demokratëve na lind detyra ta ndalojmë këtë fenomen të tmerrshëm.
- Qyteti jonë i Lezhës ka nevojë për një kontribut të jashtëzakonshëm, jo vetëm në administrimin e pushtetit lokal por edhe në sport. Me ekipin e Besëlidhjes sonë të dashur, unë hodha hapat e para në futboll, fitova shumë experiencë, për të arritur deri tek Kombëtarja e Shqipërisë me ballafaqime shumë të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Ngjyrat e Besëlishjes janë ende mbi supet dhe në zemrën time si një emblemë triumfale.
Këtë mundësi që unë e pata, duhet ta ketë çdo i ri apo e re, që ka ëndërr sportin.
Ju kërkoj të gjithë demokratëve dhe simpatizantëve, që do jenë pjesë e kësaj mundësie të jashtëzakonshme të primareve, për të më dhënë mundësinë të kthej borxhin që kam te Lezha dhe çdo qytetar i saj.
Ju faleminderit