Vendosni fjalën kyçe....

Rama i përgjigjet akuzave për Portin e Durrësit: Akuzat haluçinante ndaj kompanisë, tallje e radhës ndaj shqiptarëve


Kryeministri Edi Rama ka reaguar përsëri lidhur me akuzat e opozitës për projektin për portin e ri të Durrësit.

Në një postim në “Twitter”, Rama i konsideron akuzat e opozitës si tallje e radhës ndaj shqiptarëve. Ai shprehet se sulmi ndaj këtij projekti ka si synim vetëm pengimin e investimit transformues për Durrësin dhe e konsideron në dëm të interesit të vendit.

“Akuzat haluçinante kundër një kompanie ardhja e së cilës është përveç të tjerash një imazh i ri fitues i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, janë tallja e radhës me ata shqiptarë që akoma i ndjekin pas këta të shitur, pa fe, pa atdhe, pa din e as iman…

Sulmi haxhiqamilist i Aleancës së Rublave dhe bedelave të saj kundër projektit të Portit Turistik të Durrësit është një turp dhe një poshtërsi e madhe në dëm të interesit të vendit, ndërkohë që tërbimi shpifarak është prova se i kanë bërë vetë tërë pisllëqet që akuzojnë!

Synimi i këtij sulmi të dëshpëruar është pengimi i këtij investimi të madh transformues për Durrësin dhe gjithë Shqipërinë, përmes intimidimit të një prej kompanive flamur të Emirateve të Bashkuara, të cilën e kemi sjellë me mbështetjen e Presidentit, Sheikh Muhammed Bin Zayed.”- shkruan Rama në disa postime në Twitter.

Mesditën e sotme ish-kryeministri Sali Berisha e denoncoi përsëri projektin e Portit të ri të Durrësit.

Kryetari i PD-së tha se kryeministri Rama ka përjashtuar veten dhe vëllezërit Kariç nga taksa e infrastrukturës dhe taksat e tjera dhe se ka përdorur një skemë identike me Alexander Lukashenkon. Sipas tij Rama tentoi të fuste në kurth edhe NATO-n për t’i hapur rrugë ndërtimit të portit të Durrësit. Por sipas tij Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s e kuptoi.