Vendosni fjalën kyçe....

Berisha për portin e ri të Durrësit: Rama përdori skenë identike me Lukashenkon, Sekretari i NATO-s e kuptoi kurthin


Në konferencën e sotme për mediet, ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar përsëri projektin e Portit të ri të Durrësit.

Kryetari i PD-së thotë se kryeministri Edi Rama ka përjashtuar veten dhe vëllezërit Kariç nga taksa e infrastrukturës dhe taksat e tjera dhe se ka përdorur një skemë identike me Alexander Lukashenkon. Sipas tij Rama tentoi të fuste në kurth edhe NATO-n për t’i hapur rrugë ndërtimit të portit të Durrësit. Por sipas tij Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s e kuptoi.

 “Rama nuk ka të ndalur, ju e morët vesh. Megaafera shumë miliardëshe e portit të Durrësit, megaaferë që vetëm me truallin, vetëm truall tokë publike e portit kushton minimumi 3 miliardë euro.            

Vetëm ndërtimi i Dubait të Shqipërisë, kushton 3 ose katër miliardë euro.

Të gjitha këto nga një kompani ku 60 përqind të tyre nuk dihet se kujt janë, se janë të Edi Ramës dhe Olsi Ramës.

Edi Rama nuk do kishte mundur kurrë të fshihte 60 përqind të një kompanie miliardash po të mos ishte personalisht e tij.

Në këtë mega-aferë, Edi Rama i ka dhënë vetes, statusin e investitorit strategjik. I përjashtuar nga TVSH dhe taksat e tjera.

Me këtë mega-aferë, Rama ka përjashtuar veten dhe vëllezërit Kariç nga taksa e infrastrukturës dhe taksat e tjera.

Me këtë mega-aferë, Rama ka përdorur skemë identike me Lukashenkon e Minskut dhe vëllezërit Kariç.

Me këtë mega-aferë, Rama ka shkelur nenet 70, 71 dhe 74 të MSA me Bashkimin Europian, që i imponojnë Shqipërisë, zbatimin e rregullave të konkurrencës, i imponojnë Shqipërisë, rregullat e transparencës së plotë.

Me këtë mega-aferë, Rama ka privuar Shqipërinë, por edhe BE-në dhe NATO nga porti mijëravjeçar. Komisioni i Transportit i BE e ka përcaktuar këtë port, si një nga dy portet strategjike në rajon.

Rama bëri përpjekje të turpshme për të përfshirë NATO-n në këtë aferë. Zëro interes nga NATO. Sekretari i Përgjithshëm e kuptoi se bëhet fjalë për një kurth korruptim të një njeriu që vjedh vendin e tij. Kjo është mega-afera më e madhe në Europë.

PD ka përgatitur materialin për ta dërguar në Gjykatë Kushtetues edhe tjetrin për të krijuar komisionin hetimor parlamentar.

Rama përpiqet të shtypë opozitën në parlament, por nuk do e arrijë kurrë.

Opozita është sot më e fuqishme se kurrë.

Ai gabon rëndë kur shan si halabak ordiner, duke treguar se çfarë edukate familjare ka marrë. Duke treguar se çfarë mendësie ka biri i xhelatit për kundërshtarin politik.

Por e ka të kotë, do përballesh me opozitën, duke përballesh me popullin.”- tha Berisha.