Vendosni fjalën kyçe....

Ilir Meta: Shqiptarët po ikin për shkak të Ramës, zëri i zemërimit mbarëpopullor do të buçasë në sheshe


Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ai është autori dhe përgjegjësi kryesor i vrasjes së shpresës së shqiptarëve të cilët po largohen nga vendi.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta përmend sondazhin e Ep & Partners Consultancy (EPPC) sipas të cilit, 53% e fuqisë punëtore në vend është në kërkim për jetë më të mirë jashtë Shqipërisë dhe se 25% e tyre janë gati të ikin brenda vitit,

“Një tjetër raport i besueshëm konfirmon të vërtetën e vetme, që shqiptarët po ikin sepse Edi Rama është autori dhe përgjegjësi kryesor i vrasjes së shpresës së tyre, armiku i lirive, i demokracisë dhe shtetit ligjor.

Të dhënat e publikuara së fundmi nga kompania Ep & Partners Consultancy (EPPC) pohojnë se 53% e fuqisë punëtore në vend është në kërkim për jetë më të mirë jashtë Shqipërisë dhe se 25% e tyre janë gati të ikin brenda vitit.”- tha ish-presidenti.

Meta thotë se shkak kryesor është keqqeverisja dhe vrasja e shpresës nga qeveria e “Rilindjes” dhe paralajmëron se koha e llogaridhënies po afron.

“Shkak kryesor sipas vetë të anketuarve është keqqeverisja dhe vrasja e shpresës nga “Rilindja”. Është kjo arsyeja, konfliktet dhe përjashtimet e thella sociale, që po i detyrojnë shqiptarët të rrezikojnë edhe jetën e tyre duke kaluar La Manshin me gomone dhe aspak propaganda e gënjeshtërt e Edi Ramës se shqiptarët po ikin sepse sipas tij kjo ju pëlqen.

Ndaj nesër zëri i zemërimit mbarëpopullor do të buçasë në sheshet e Tiranës që Edi Rama ta dëgjojë qartë se ora e llogaridhënies për të po afron!”- shkruan Meta.