Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi: Me që SPAK nuk thërret dot Ramën e Veliajn, të ndalojë pagesat për inceneratorin e Tiranës


Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi deklaroi në emisionin ‘Ora 19’ në SYRI TV se qeveria sot me buxhetin e vitit 2023 i ka kaluar incenerartorit të Tiranës 10 milionë dollarë.

Sipas deputetes së PL-së, meqë SPAK nuk thërret dot Edi Ramën dhe Erion Veliajn për ti pyetur për këtë aferë korruptive, të paktën të ndalojë pagesat për inceneratorin.

“Jo më larg se sot parlamenti shqiptar i kalon inceneratorit të Tiranës 10 milionë dollarë të tjera. Nga momenti që ne kemi bërë padi në SPAK e deri më sot, 617 ditë, qeveria i ka kaluar inceneratorit të Tiranës 15 milionë dollarë. Ky është një operacion financiar korruptiv.

Nga ana tjetër kemi dy inceneratorë të sekuestruar, Elbasani dhe Fieri për të njëjtën skemë financiare korruptive dhe për të njëjtën procedurë ligjore të gabuar nga ana e qeverisë shqiptare.

Ndërsa për inceneratorin e Tiranës nuk ndiqet e njëjta metodologji, vazhdohet dhe paguhet nga bashkia e Tiranës nëpërmjet financimit buxhetor nga qeveria shqiptare. Nuk paguajnë vetëm qytetarët e Tiranës, por gjithë qytetarët e Shqipërisë.

Çfarë ndodh, ne vazhdojmë dhe furnizojmë llogaritë bankare të kësaj skeme korruptive me para nga buxheti i shtetit. Ajo që është më qesharake dhe tronditëse, është se unë jam e bindur se SPAK nuk ka fuqi që të thërrasë Erion Veliajn dhe Edi Ramën, sepse me mos reagimin e SPAK ne shikojmë se ky institucion po kthehet në një seksion të qeverisë.

E vetmja gjë që të paktën ata duhet të bëjnë, në respekt të qytetarëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, SPAK duhet të ndalojë pagesat për inceneratorin e Tiranës.

Këto 10 milionë dollarë që i kalojnë nga buxheti i shtetit, inceneratorit të Tiranës mund ti kalonin sistemit të drejtësisë, jo vetëm për të ndihmuar pagat e prokurorëve, por për të ndihmuar që këta prokurorë të kenë lehtësira”-tha Kryemadhi.