Vendosni fjalën kyçe....

“Sot në PD lexohet çdo votë” – Julian Deda pas zyrtarizimit të kandidaturës së tij në Primare


Aktori Julian Deda është një nga kandidatët për në “Primaret” e Partisë Demokratike, në garën për Bashkinë e Tiranës.

Pas zyrtarizimit të kandidaturës së tij, Deda ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale ku shprehet se tani në PD lexohet çdo votë dhe uroi që prej kësaj “risie” të dalë fitimtar më i miri.

Ai tha se lajmin për zyrtarizimin e kandidaturës e kishte marrë vesh në trafik.

“Ja, këtu e mora lajmin që jam kandidat në primaret e PD, për Tiranën, në mes të trafikut, të pluhurit dhe të zhurmave, që tani e tutje do t’i quajmë erionizim, që i është bërë Tiranës në këto vite.

Falenderoj nga zemra çdo demokrat, në secilën degë të Tiranës, që ka propozuar emrin tim në këto primare tepër të rëndësishme. Tashmë në PD, jo vetëm lexohet çdo votë, por dëgjohet çdo propozim i anëtarëve të saj.

Le ti japim primareve rëndësinë që meritojnë, le të dalë prej kësaj risie vetëm më i miri, më i votuari. Suksese të gjithëve…!”- u shpreh Deda.

Janë shtatë kandidatë që kanë zyrtarizuar kandidaturën e tyre për të marrë pjesë në Primaret që po organizon Partia Demokratike për bashkinë e Tiranës.

Emrat janë konfirmuar në një deklaratë për mediat nga Kryetarja e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE), Albana Vokshi.

 Ajo tha se kandidatët të cilët kanë plotësuar të gjitha dokumentacionet dhe kushtet e garës janë Adriana Kalaja, Belind Këlliçi, Enkelejda Fejzo, Fatmir Merkoçi, Gerti Bogdani, Ilir Alimehmeti dhe Julian Deda.