Vendosni fjalën kyçe....

Radhët e gjata në Kapshticë/ Policia Kufitare: Pala greke po punonte vetëm me dy sportele


Policia kufitare ka reaguar lidhur me radhët e gjata të automjeteve në pikën kufitare të Kapshticës.

Në një njoftim për mediet, policia thotë se problemi u krijua nga pala greke e cila po punonte vetëm me dy sportele duke krijuar kështu rradhë në dalje të Shqipërisë. Por autoritetet shqiptare thonë se kanë kontaktuar me homologët për të shtuar sportelet dhe situata tanimë është kthyer në normalitet.

“Gjatë pasdites së sotme në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, ka patur fluks të shtuar të lëvizjes.

Për shkak se dogana në palën greke punonte me dy sportele u krijuan radhë në dalje të Republikës së Shqipërisë.

Policia Kufitare e Kapshticës menjëherë mori takim me homologët e në doganën greke të cilët pas takimit shtuan sportelet dhe aplikuan procedurën e përshpejtuar.

Falë masave të marra lëvizja ka qenë e njëtrajtshme nga të dyja anët e kufirit duke eleminuar radhët e krijuara.

Aktualisht në këtë pikë kalimi nuk ka radhë dhe lëvizja paraqitet normale.”– thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia kufitare shqiptare po punonte me 4 sportele në dalje dhe udhëtarët nga Greqia vinin pa probleme në Shqipëri. Por pala greke kishte vetëm me 2 sportele dhe situata u rregullua vetëm me shtimin e tyre.