Vendosni fjalën kyçe....

Festimet e Halloween-it në Korenë e Jugut kthehen në tragjedi, të paktën 151 viktima dhe qindra të lënduar


Të paktën 151 persona kanë humbur jetën në Seoul pasi një turmë njerëzish që ishin mbledhur për të festuar Halloween-in në një rrugicë të ngushtë, përfunduan duke u shtypur me njëri-tjetrin.

Mbi 100 mijë persona, shumica prej tyre të maskuar për festë, ishin mbledhur në Itaewon të shtunën mbrëma në atë që do të ishte festa e parë e Halloween-it në tre vite.

Mediat në vend raportuan për skena kaotike të shkaktuara nga numri i madh i njerëzve në rrugë përpara se të ndodhte incidenti tragjik, shumë pak pas orës 22.00.

Shumë nga rrugicat jashtë rrugës kryesore në zonë janë të ngushta dhe të pjerrëta. Pikërisht në një rrugë të tillë të pjerrët, që ndodhet afër hotelit Hamilton dhe pak më shumë se katër metra e gjerë, u vranë dhe mbetën të lënduar qindra qytetarë.

Presidenti Yoon Suk-yeol të dielën në mëngjes shpalli gjendjen e zisë kombëtare ndërsa u drejtohej qytetarëve lidhur me tragjedinë.

Numri i viktimave mund të rritet më tej pasi, sipas raportimeve, 20 nga 82 të plagosurit janë në gjendje të rëndë në spitalet përreth kryeqytetit të Koresë së Jugut.