Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria rrit me 68% fondet për forcat e luftës, 87 mln euro më shumë më 2023 për Ministrinë e Mbrojtjes


Programi buxhetor me rritjen më të madhe të financimeve për vitin 2023 është “Forcat e Luftimit”, të cilat vitin që vjen marrin rreth 68% më shumë financime se në buxhetin e aktual.

Sipas dhënave nga projektbuxheti 2023, fondet totale për Ministrinë e Mbrojtjes janë rritur me rreth 10 miliardë lekë (87 milionë euro) ose me rreth 35% më shumë se në këtë vit. Rritjen më të madhe e ka programi “Forcat e Luftës”, të cilat marrin 62 milionë euro financime shtesë këtë vit.

Buxheti total i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2023 është planifikuar në 40 miliardë lekë, ose gati 350 milionë euro.

Rritja e shpenzimeve për forcat e luftës duket se vijnë nga situatë e re që ka krijuar Lufta në Ukrainë. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe si rrjedhojë ka angazhime për të rritur buxhetin për mbrojtjen dhe ushtrinë. Ky angazhim vjen si domosdoshmëri tani kur tensionet ndërmjet vendeve të NATO-s dhe Rusisë janë rritur.

Shpenzimet për mjetë luftë janë rritur në unison në të gjitha vendet e Europës dhe Rajonit. Rritja ka ndodhur qysh  ketë vit, ndërkohë që ka një garë për të përparuar drejt teknologjisë moderne të mjeteve të luftës.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, që i takojnë vitit 2020, shpenzimet e Shqipërisë për mbrojtjen ishin sa 1.5% e PBB, në një kohë që mesatarja botërore në të njëjtin vitit ishte 2.4%.

Sipas të dhënave nga SIPRI (Instituti Ndërkombëtar Kërkimor për Paqe) shpenzimet ushtarake në 15 vendet kryesore arritën në 1,717 miliardë dollarë në vitin 2021, që përbën 81% të shpenzimeve ushtarake globale. Shtetet e Bashkuara (zotërojnë 38% të shpenzimeve ushtarake botërore në 2021) Kina (14%), dy shpenzuesit më të mëdhenj ne rang global.

Midis 2020 dhe 2021 Mbretëria e Bashkuar dhe Franca rritën shpenzimet për mbrojtjen, duke u bërë përkatësisht shpenzuesit e katërt dhe të gjashtë më të mëdhenj në botë me 2021. Arabia Saudite ra nga shpenzuesi i katërt më i madh në vitin 2020 në i teti më i madhi në 2021.

Irani rriti shpenzimet ushtarake me 11 për qind, duke e bërë atë shpenzuesin e 14-të më të madh ushtarak në vitin 2021. Kjo është hera e parë në 20 vjet që Irani renditet në 15 shpenzuesit më të mëdhenj ushtarakë.

Shpenzimet ushtarake amerikane arritën në 801 miliardë dollarë në vitin 2021. Buxheti i SHBA ka shënuar një rritje të fortë për inovacionin në mjetet e luftës, në të kundërt, Financimi i SHBA për prokurimin e armëve u tkurr me 6.4% midis 2012 dhe 2021, dhe me 5.4% midis 2020 dhe 2021. /B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor