Vendosni fjalën kyçe....

Adidas ndërpret marrëveshjen me Kanye West: S’e tolerojmë antisemitizmin


Kompania e veshjeve sportive Adidas i ka dhënë fund bashkëpunimit me artistin Kanye West, i njohur si Ye, pasi reperi bëri një sërë komentesh të diskutueshme.

“Adidas nuk toleron antisemitizmin dhe çdo lloj tjetër të gjuhës së urrejtjes. Komentet dhe veprimet e fundit të Ye kanë qenë të papranueshme, të urryera dhe të rrezikshme, dhe ato shkelin vlerat e kompanisë për shumëllojshmërinë dhe përfshirjen, respektin e ndërsjellë dhe drejtësinë.” – tha kompania në një deklaratë në faqen e saj të internetit. Adidas pret ‘një ndikim negativ afatshkurtër deri në 250 milionë euro në të ardhurat neto të kompanisë në vitin 2022’, por megjithatë synon ‘të ndërpresë bashkëpunimin me Ye menjëherë’.

Në fillim të këtij muaji, Ye thuhet se postoi në Twitter një moment polemizues, pasi akuzoi producentin diskografik Sean ‘Diddy’ Combs se kontrollohej nga ‘populli hebre’ në një postim në Instagram.

Muzikanti ka bashkëpunuar me markën që nga viti 2013 dhe ishte planifikuar të zgjaste deri në vitin 2026, sipas Wall Street Journal.

Vendimi i Adidas në lidhje me bashkëpunimin e saj me Ye thuhet se mund t’i kushtojë reperit statusin e tij si miliarder. Është vlerësuar se pa marrëveshjen me Adidas, vlera neto e Ye mund të bjerë nga afërsisht 1.9 miliardë dollarë në vetëm 400 milionë dollarë.

Muajin e kaluar, marka e veshjeve Gap tha gjithashtu se do ndërpresë bashkëpunimin me muzikantin dhe do të heqë artikujt Yeezy nga dyqanet e saj. Ndër kompanitë e tjera që u distancuan nga Ye janë marka e modës Balenciaga, banka JP Morgan dhe agjencia e talenteve CAA. Twitter dhe Instagram bllokuan reperin për komentet e tij.