Vendosni fjalën kyçe....

“Na doli para një veturë policie e na ndali”- Zëvendëskryeministrit të Kosovës i ndalohet vizita në Beograd për shkaqe sigurie


Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i është ndaluar vizita dyditore që kishte parashikuar të kryente në Serbi nga Policia e këtij shteti “për shkaqe sigurie”.

Kjo ndodhi pak para se të arrinte në Beograd. Pas kësaj, zv.kryeministri Bislimi është kthyer drejt Kosovës.

Lajmin e konfirmoi vetë numri dy i Qeverisë së Kosovës, i cili foli për gazetën “Koha” lidhur me incidentin.

Bislimi shpjegoi se atij nuk i është lejuar që të vazhdojë rrugën drejt Beogradit, pasi i ka dalë përpara një veturë e policisë dhe i ka ndalur.

“Ne kemi bërë kërkesën për vizitë para një jave. Vizita është aprovuar. Kemi kaluar kufirin. Jemi afruar deri te Beogradi. Tek aty na ka dalë një veturë tjetër e policisë që na ka ndalë e ka thënë se për arsye të sigurisë s’mund të bëhet. Po del se është krejt manipulim… Doli një veturë shtesë, ka dalë konvoji dhe ka kërkuar të kthehemi se gjoja ka probleme për siguri. Ka thënë se po kërcënohet siguria.”– tha Bislimi nëpërmjet telefonit për KOHËN.

Pak më herët këtë e konfirmoi për mediet edhe Dushan Janjiç, organizatori i konferencës në të cilën do merrte pjesë zv.kryeministri. Ai tha për Gazetën Express se numrit dy të Qeverisë së Kosovës i ishte dashur të kthehet prapa në Kosovë meqë autoritetet e Serbisë s’e kanë garantuar për sigurinë e tij.