Vendosni fjalën kyçe....

15 të vrarë nga një sulm terrorist në Iran


Persona të armatosur vranë 15 civilë e plagosën dhjetë të tjerë në një sulm në një faltore shiite në qytetin iranian të Shirazit të mërkurën, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA. Sulmi është përshkruar si një ‘operacion terrorist’ i kryer nga ekstremistët sektarë.

Sulmi ndodhi në faltoren Shahcheragh gjatë pasdites së vonë, ndërsa pelegrinët po vizitonin vendin e shenjtë shiit. Personat e armatosur hapën zjarr me ‘kallashnikov’ pasi hynë në oborrin e faltores, thanë burime të paidentifikuara të sigurisë për Fars News.

Një grua dhe dy fëmijë janë mes viktimave dhe dy persona të armatosur janë arrestuar.

Burime të shumta lajmesh në Iran e quajtën sulmin një ‘operacion terrorist’ nga ekstremistët ‘tekfiri’. Kjo fjalëë nënkupton grupe sunite. Shahcheragh është një vend i shenjtë për shiitët. E ndërtuar në shekullin e 10-të pas Krishtit, ajo strehon varret e djemve të Musa al-Kazim, imamit të shtatë shiit.

Sulmi i së mërkurës ndodhi ndërsa Irani po përballet me protesta mbarëkombëtare, të cilat shpërthyen pas vdekjes së 22-vjeçares Masha Amini në paraburgimin e policisë muajin e kaluar. Autoritetet iraniane kanë thënë se ajo vuante nga një gjendje mjekësore paraekzistuese, ndërsa disa nga anëtarët e familjes së saj pretendojnë se ajo ishte rrahur për vdekje.