Vendosni fjalën kyçe....

Vlerësohet afati i riparimit të gazsjellësit Nord Stream, u dëmtuan pas shpërthimit në fund të shtatorit


Tubacionet e gazit Nord Stream të Rusisë, të cilat u dëmtuan dhe dolën jashtë funksionit nga shpërthimet nënujore në fund të shtatorit, mund të riparohen brenda pak muajsh.

Pohimi ka ardhur nga Korporata Daneze e Transmetimeve (DR) e mbështetur nga shteti, e cila citonte Sten Ussing, Kryeinxhinier me grupin këshillues COWI.

Nga videofilmet nënujore u vlerësua se tubat nuk pritet të dëmtohen nga ndryshku për disa kohë pasi ka pak oksigjen në një thellësi prej 80 metrash, ku ndodhen. Ai vuri në dukje se sipërfaqet e thyerjes duken ‘shumë të pastra dhe pothuajse me shkëlqim’, gjë që sugjeron se ‘tubi nuk do ndryshket brenda disa javësh, siç mund të pritej në një mjedis më të oksigjenuar’.

Inxhinieri, megjithatë, shpjegoi se shpërthimi shkaktoi një rritje presioni dhe kjo mund të kishte dëmtuar pjesë të tubacionit në një farë mase, duke shtuar se ato mund të riparohen duke ngritur tubacionet pak mbi shtratin e detit, gjë që do lejonte saldatorët të hiqnin pjesët e dëmtuara dhe t’i zëvendësojnë me të reja.

“Është procedurë standarde për të salduar një pjesë të tillë tubi nën ujë. Është bërë shumë herë më parë dhe teknologjitë që duhen përdorur ekzistojnë.” – shpjegoi Ussing.

Megjithatë, ai paralajmëroi se edhe me pak oksigjen, tubat e thyer mund të grumbullojnë ndryshk me kalimin e kohës dhe këshilloi që riparimet të kryhen brenda një viti.

Pamjet e thyerjeve të tubacionit që Ussing inspektoi janë marrë nga media suedeze Expressen, e cila dërgoi një kamerë poshtë një prej tubave.

Shkaku i shpërthimeve që dëmtuan tre nga katër vargjet e tubacioneve të gazit Nord Stream 1 dhe 2 të Rusisë prej 1200 kilometrash është ende duke u hetuar. Dyshohet se shkaku i mundshëm është sabotimi.