Vendosni fjalën kyçe....

Ndërsa Sunak merr frenat e Mbretërisë së Bashkuar, Kremlini nuk sheh “shpresa” për lidhje më të mira mes dy vendeve


Rusia nuk sheh asnjë “shpresë” për ndërtimin e marrëdhënieve më konstruktive me Britaninë e Madhe tani që Rishi Sunak është kryeministër i ri i Mbretërisë së Bashkuar.

Kështu tha të martën zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

“Jo, për momentin, ne nuk shohim ndonjë parakusht, bazë apo shpresë për disa ndryshime pozitive në të ardhmen e parashikueshme.”– tha zëdhënësi presidencial rus sipas TASS duke komentuar perspektivat e marrëdhënieve më të ngrohta midis dy vendeve me emërimin e kryeministrit të ri.

Megjithatë Peskov theksoi se ndërkohë, Rusia ruan hapjen dhe gatishmërinë e saj për të diskutuar çështjet më komplekse në tryezën e bisedimeve, por jo në dëm të interesave të saj kombëtare.

Rishi Sunak u shpall si lideri i ri i Partisë Konservatore të Mbretërisë së Bashkuar të hënën pasi dy rivalët e tij, ish-kryeministri britanik Boris Johnson dhe kreu i Dhomës së Komunave Penny Mordaunt thanë se nuk do të kandidojnë për postin e kreut të qeverisë.

Siç raportuan mediat britanike, as Johnson dhe as Mordaunt nuk duket se po fitonin 100 votat e nevojshme të deputetëve konservatorë për të kaluar në raundin tjetër të votimit parlamentar.

Sunak u bë kryeministri i parë i Mbretërisë së Bashkuar që emërohet nga Mbreti britanik Charles III, i cili u ngjit në fron pas vdekjes së nënës së tij, Mbretëreshës Elizabeth II. Sunak zëvendësson Liz Truss, e cila më 20 tetor njoftoi se do të jepte dorëheqjen pasi politika e saj e gabuar ekonomike kishte nxitur pakënaqësi midis anëtarëve të partisë së saj. Ajo mbante postin e kryeministres së vendit për vetëm 45 ditë, mandati më i shkurtër i regjistruar në historinë e Britanisë.