Vendosni fjalën kyçe....

Berisha mbledh krerët e degëve: Primaret në PD mision historik, demokratët jetojnë në diktaturë terrori e diskriminimi


Kreu i PD-së Berisha ka mbledhur krerët e degëve në rrethe.

Ai tha se në qendër të takimit është zhvillimi i primareve në selinë blu, prej nga ku do dalin kandidatët zyrtarë për zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm.

Po kështu Berisha akuzoi kryeministrin Rama se ka instaluar në vendin shtetin njëpartiak dhe se demokratët po jetojnë në diktaturë terrori e diskriminimi.

“Thirrëm këtë mbledhje në një moment shumë të rëndësishëm për dy çështje themelore, me të cilat duhet të përballet me sukses PD-ja. Së pari zbatimi, zgjedhja e qytetarëve të parë e më pas edhe këshilltarëve me procesin e primareve. Ne e kemi mision dhe duhet ta konceptojmë si mision shumë të rëndësishëm, historik. Jeni dëshmitarë që sot si shoqëri kemi humbur votën, por nëse humbet votën humbet shtetin ligjor, kushtetueshmërinë, liritë e të drejtat. Shndërrohesh në shoqëri diktatoriale ose parashtetërore. Në Shqipëri është instaluar shteti një partiak.

Një nga format më të zakonshme të diktaturës janë shtetet ku sundon një parti e pjesa tjetër shtypet. Që një demokrat të gëzojë të drejtën që i takon e ka të pamundur se shteti një partiak garanton në mënyrë të paligjshme favoret e partisë që sundon në dhunim flagrant të parimeve demokratike. Mijëra demokratë që kanë fituar gjyqet e nuk marrin dot atë që u garantohet, mijërave nuk u shqyrtohen ankesat. Demokratët jetojnë në diktaturë terrori e diskriminimi nga një njeri që vjedh shqiptarët nga mëngjesi në darkë.” – tha Berisha.