Vendosni fjalën kyçe....

Takimi Paloka-Bardhi për kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale, cila është pika që mban ende larg palët në PD


Ndërsa dy kampet në PD, ai i Berishës e i Bashës kanë nisur prej disa ditësh takimet për të gjetur gjuhën e përbashkët për zgjedhjet lokale të vitit 2023, ka një pikë që i mban ende larg palët.

Në takimin e para dy ditëve, kreu i Këshillit Kombëtar Paloka e ish-Sekretari i Përgjithshëm Bardhi diskutuan mbi mundësinë e bashkëpunimit për daljen me një kandidat të përbashkët në zgjedhje.

Po teksa PD-ja e Berishës ka shpallur kalendarin për primaret, prej nga ku do dalin kandidatët zyrtarë për zgjedhjet lokale, kjo gjë është kundërshtuar nga Bardhi.

Sipas këtij të fundit, primaret do organizoheshin e zhvilloheshin nga strukturat e zgjedhura nga kampi i Berishës e kësisoj rrezikohet përçarje edhe më e madhe.

Paloka i ka ofruar Bardhit që grupi i Bashës të marrë pjesë në primare me kandidatët e tij duke i ofruar të gjitha garancitë për proces të ndershëm, por ideja është kundërshtuar nga Bardhi.

Në vend të kësaj ai ka propozuar përzgjedhjen e emrave të mundshëm për kandidatë zyrtarë e më pas filtrimin e tyre përmes sondazheve lokale.