Vendosni fjalën kyçe....

“S’ mund të dalë këtu deputeti të mbrojë biznesin e tij!”- Balla debate me Shehajn, Felaj thirrje Byrosë së Kuvendit


Seanca parlamentare është shoqëruar me debate dhe replika. Kjo pas akuzave të deputetit të PD-së Agron Shehaj ndaj kryeministrit Edi Rama, se i ka dërguar policinë në biznesin e tij për ta intimiduar. Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla e kritikoi Shehajn duke thënë se s’mund të flasë në mënyrë të tillë dhe të mbrojë biznesin e vet nga prokuroria.

Shehaj i revoltuar tha se s’mund ta akuzojë askush sepse e vërteta e madhe është që Parlamenti është biznesi më i madh i maxhorancës, që janë bërë milionërë. Ndërsa ai ka 20 vjet që merret me biznes. Drejtuesja e seancës parlamentare, Ermonela Felaj, kërkoj të mblidhet Byroja e Kuvendit për të marrë masa ndaj Shehajt.

Pjesë nga debati:

Balla: Që deputeti të marrë fjalën në Kuvendin e Shqipërisë dhe të flasë për punët e prokurorisë është e turpshme, e papranueshme dhe bie ndesh me librat që kryejnë punën në kuvend. Ndaj zonja drejtuese e seancës që në ushtrim të kompetencës duhet t’i rikujtoni deputetit që më anë të kësaj deklarate bie ndesh me çdo rregull të kodit të sjelljes. Nuk mund të dalë deputeti këtu të mbrojë biznesin e tij.

Shehaj: Nëse ju realisht mendoni se do më mbyllni gojën me këto rregulla që i nxirrni kur ju do qejfi u bën qesharak. Nëse mendoni se vij këtu e flas për biznesin tim është shqetësuese. Unë ngrita një shqetësim, Policia e Shtetit ka 3 javë, s’po bën thjesht një inspektim, ka 3 javë që ka hyrë në ambiente private, s’erdha këtu që në ditën e parë. Unë prita 3 javë, i kemi shkruar policisë 2 herë, i kemi shkruar prokurorisë që na thotë se s’ka asnjë lloj bllokimi. Kjo është e vërteta, të tjerat janë broçkulla.Ju nuk keni të drejtë të më thoni mua që rekalmoj biznesin tim se ky Parlament është i gjithi biznesi juaj. Ju këtu biznesin e keni krijuar dhe jeni bërë milionerë. Dhe s’duhet të më thoni që unë s’duhet të dal atje dhe të ankohem për një shkelje skandaloze, sulm politik. Pse? Sepse thashe se ministrja, bashkë me Edi Ramën në bashkëpunim dhe me mashtrim, kanë bërë kunatën dhe burrin e ministres investitor startegjik. Kanë marrë pronën publike Pse? Sepse thashë që Gjiknuri, kompanisë që i dha tendera kur ishte ministër e bëri ortak me kushëririn e tij dhe me firmën e Edi Ramës, të dy bashkë I bëri investitor strategjik.

Kjo është arsyeja pse policia merret me bizneset e mia. Unë kam 20 vjet që merrem me biznes. Nuk kam mbaruar.

Felaj i ndërpret fjalën: Zoti Shehaj, së pari ju ftoj të hiqni dorë nga toni i përdorur në kuvendin e Shqipërisë. Së dyti, ju ftoj të reflektoni ndaj çdo gjëje që thatë pak më parë. Dhe së treti, në bazë të nenit 29 të Kodit të Rregullores dhe të sjelljes i kërkoj Byrosë për marrjen e masës disiplinore. Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk kanë imunitet nga ndjekja penale. Juve nuk ju tha askush asgjë për çfarë konsideratash patët për kolegët e maxhorancës, juve ju kërkua vetëm që të mos flisnit për bizneset personale. Për asnjë arsye. Balla është kryetari i grupit parlamentar dhe mbajti qëndrim si kryetar i grupit parlamentar. Unë i kërkova Byrosë z.Spaho, Byroja ka përbërje sa tuajën aq dhe tonën.