Vendosni fjalën kyçe....

“Të ngriheni në protestë si pedagogët” – Thirrja e Berishës për bluzat e bardha, tregon dhe planin e PD-së për protesta


Kryetari i PD-së, Sali Berisha thotë se opozita do të solidarizohet me grevën që ka lajmëruar nesër sindikata e pedagogëve, por thekson se kjo është grevë e sindikatës.

“Ne duhet t’i dalim zot elitës së kombit. Duhet ta mbrojmë, ne jemi krenarë me ta. Ata kanë kontribute të jashtëzakonshme, janë personalitete që në kushte të vështira, kanë bërë maksimumin.

Nuk mundet që me një rast të përlyejnë një botë akademike. Se është vetë i zhytur komplet.

Ndaj ne duhet të bëjmë gjithçka për të mbrojtur elitën kombëtare, e cila është në një sulm amoral të paimagjinueshëm.

Sa i përket mbështetjes tonë, ajo është lëvizje sindikaliste dhe ne mbështesim çdo kauzë të drejtë.

Po të ishte lëvizja jonë, do e thonim me krenari sepse nuk kemi asnjë kompleks. Por ajo është lëvizje e sindikatave. Ndaj u them socialistëve që ne mbështesim kauzën tuaj, se ajo është kauzë e drejtë.

Për ne, universitetet janë një pasuri e paçmuar kombëtare. Nuk janë pasuri e Edi Ramës, nuk janë sarajet e Surrelit. Është një investim gjigant që kanë bërë shqiptarët për universitetet.

Nesër në parlament, kryeaxhenda duhet të jetë mbrojtja e elitës universitare dhe denoncimi i këtij agresioni, këtij sulmi ndaj tyre, përpjekjet për t’i përçarë, nuk mund të imagjinoni çfarë terrori ushtrohet për t’i përçarë.

Duke u shprehur solidaritetin, ne e mbështesim grevën e tyre të përgjithshme nesër.”– tha Berisha.

Ai shtoi se PD ka axhendën e vet të protestave dhe se sot kishte një takim me drejtuesit e PD-së në Tiranë për të diskutuar për këtë.

“Ne kemi axhendën tonë të protestave dhe po e përgatisim. Sot kam takim me krerët e PD në Tiranë dhe dy janë çështjet tona kryesore që do diskutojmë, primaret dhe protestat.

Ne kemi axhendën tonë, sindikatat kanë të veten. Ne jemi parti politike dhe do mbushim rrugët dhe sheshet.

Se nuk mund të ecet në këtë mënyrë, kur interesat e qytetarëve shkelmohen çdo ditë, shqiptarët përzihen çdo ditë nga vendi i tyre, ligji nuk ekziston.

Ne jemi në ballë dhe në krye të protestave popullore në mbrojtje të interesave qytetare.”– tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, mes të tjerash Berisha u bëri thirrje edhe mjekëve e infermierëve të ngrihen në protestë si pedagogët. Pasi sipas tij, po e shohin sistemin e shëndetësisë të shkatërrohet para syve të tyre.

“U bëj thirrje bluzave të bardha. Ky po e shkatërron sistemin e shëndetësisë. Po e shohin sistemin të shkatërrohen para syve të tyre. Duhet të ngrihen, të ngrihen fuqishëm.

Në vitin e pandemisë arritëm në katër vendet me vdekshmërinë më të lartë në botë. E gjithë kjo sepse drejtohemi nga njerëz injorante si ai dhe ministrja e tij. I lanë mjekët pa mbrojtje, pa maska, pa uniforma, të cilët krijuan bomba epidemiologjike.

Tani është koha që mjekët dhe infermierët, sanitarët dhe të gjithë, të mobilizohen. Pse ata duhet të marrin 50-60 përqind më pak se në Kosovë?

Kjo nuk është kurrë gjendja e Shqipërisë, por miliona disbursohen përditë te kompania e tyre, te kompania e djegësave. Kjo është kompania e tyre, e ministrave, absolutisht. Zoto e Gugalja janë thjesht administratorë, prandaj nuk arrestohen. Ata jo vetëm nuk arrestohen, por ka ndërhyrje të fuqishme. Edhe ata po përdorin teknikën Bllako, ose më hiq akuzën, ose do të flas.

Se po jepen paratë për njerëzit në kërkim. Po ndodh procesi njëlloj me Bllakon.

Pra, se thotë nuk kam para. Nuk ke para për rrogat e zjarrfikësve sepse vjedh me dhjetëra milionë me kompaninë tënde. Sepse kontrakton 6 milionë satelitët, se nuk mund të shohësh katet nga toka. Se blen instalacionin e drurit, nuk e bën askush në botë. Nuk kam lexuar që të blejë një sulltan, një diktator 4 milionë euro një gjë për syrin e tij.

Enver Hoxha ndërtoi vilën dhe nuk ka kushtuar kurrë më shumë se 3 milionë në atë kohë. Kurse ky blen instilacionin e drurit për t’u kënaqur pashai.”- tha ai.