Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria e re e djathtë të Suedisë zbulon prioritetet, lufta ndaj krimit, Rusia, Kina e ndryshimet klimatike në qendër


Kryeministri i ri i Suedisë njoftoi të martën anëtarët e kabinetit dhe përcaktoi prioritetet për qeverinë e tij, duke përfshirë luftën kundër krimit, përforcimin e mbrojtjes e ndryshimet klimatike.

Ulf Kristersson, i cili u emërua kryeministër të hënën, konfirmoi në një fjalim se do të drejtojë një qeveri koalicioni të përbërë nga tre parti, të moderuarit, kristiandemokratët e liberalët.

Kabineti i tij do ketë 13 ministra nga partia e tij e qendrës së djathtë e Të Moderuarve, gjashtë nga Kristiandemokratët e pesë nga Liberalët.

Të emëruarit kryesorë përfshijnë Tobias Billstrom si ministër i Jashtëm dhe Pople Jonson si ministër i Mbrojtjes, të dy nga të moderuarit si dhe Ebba Busch nga kristiandemokratët si ministrja e re e Energjisë dhe Industrisë.

Kristersson premtoi se qeveria e re do ‘bashkojë’ vendin dhe do respektojë dallimet.

“Unë do formoj një qeveri për të gjithë Suedinë dhe për të gjithë ata që jetojnë këtu, një qeveri të rrënjosur në vlera të forta që do të respektojë vlerat e të tjerëve.” – u zotua ai.

Energjia, Kina, kërkesa për anëtarësim në NATO

Ndër detyrat politike që presin veprimin e qeverisë, ai përmendi krimin dhe të shtënat me armë zjarri në vendin nordik si një përparësi kryesore.

“Në Ministrinë e Drejtësisë do ngrihet një këshill për krimin e rëndë të organizuar.” – tha ai.

Kristersson trajtoi gjithashtu disa reforma në fushën e energjisë dhe drejtësisë, pensionet dhe tregun e punës.

Duke pasur parasysh afërsinë e Suedisë me Rusinë, ai tha se deri në vitin 2026, 2% e PBB-së së vendit do shkojë për mbrojtjen dhe se mbrojtja civile tani do jetë nën Ministrinë e Mbrojtjes.

Për politikën e jashtme dhe të sigurisë, duke aluduar qartë për luftën e vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës ai tha: “Suedia nuk do pranojë kurrë që shtetet agresive të shkelin lirinë dhe vetëvendosjen e vendeve demokratike.”

Kristersson kritikoi gjithashtu tonin e ri të Kinës për Tajvanin, duke thënë: “Marrëdhënia e Suedisë me Kinën do bazohet te një strategji e përbashkët evropiane me një lidhje të qartë transatlantike.”

Duke u ndalur në kërksen e Suedisë për anëtarësim në NATO, e nxitur nga lufta gati tetëmujore e Rusisë ndaj Ukrainës, ai tha se mbrojtja suedeze ‘do përmbushë detyrimet si anëtare’.

Suedia ende nuk është pranuar zyrtarisht në aleancë, me një anëtare të NATO-s, Turqinë, që thotë se duhet të bëjë më shumë për të përmbushur premtimet e saj ndaj Ankarasë në një marrëveshje të nënshkruar këtë qershor.

Problemet mjedisore janë ‘një nga çështjet më të mëdha ndërkufitare të kohës sonë’, shtoi Kristersson, duke thënë se një program për investimet ndërkombëtare të klimës në përputhje me Marrëveshjen e Parisit 2015 është duke u zhvilluar.

“Investimet ndihmojnë në arritjen e objektivit suedez të klimës për emetimet neto zero të karbonit deri në vitin 2045.” – shtoi ai.

Blloku i krahut të djathtë fitoi ngushtë në zgjedhjet e muajit të kaluar mbi qeverinë socialdemokrate dhe bllokun e tij të krahut të majtë duke siguruar 176 vende në parlamentin prej 349 anëtarësh.

Demokratët e ekstremit të djathtë suedez nuk do jenë pjesë e qeverisë, por Kristersson tha në një konferencë shtypi javën e kaluar se ‘ai do bashkëpunojë ngushtë’ me partinë.