Vendosni fjalën kyçe....

Sulm kibernetik ndaj sistemit TIMS? Policia njoftim: Ndërprerje të shkurtra të parashikuara mirëmbajtjeje


Policia ka sqaruar lajmet e qarkulluara mbrëmjen e djeshme në disa media për sulm kibernetik ndaj sistemit TIMS.

Në një njoftim për shtyp bëhet me dije se nuk ka pasur asnjë sulm kibernetik por bëet fjalë për një proces të shkurtër të parashikuar mirëmbjajtjeje.

Në njoftim thuhet gjithashtu se procesi ka çuar në ndërprerje të shkurtra të sistemit TIMS po pa sjellë asnjë problem për lëvizjen e qytetarëve.

Po kështu policia thotë se edhe në ditët në vijim do ketë ndërprerë të kësaj natyre.

Njoftimi

“Në lidhje me disa lajme të publikuara mbrëmjen e djeshme, në disa media dhe portale, në të cilat është pretenduar se ka ndodhur përsëri sulm kibernetik ndaj sistemit TIMS, sqarojmë opinionin publik se:

Ndaj sistemit TIMS, mbrëmjen e djeshme, nuk ka ndodhur sulm kibernetik, por në kuadrin e përmirësimit dhe rritjes së performancës së sistemit TIMS, mbrëmjen e djeshme u realizuan disa procese të parashikuara mirëmbajtjeje, të cilat ndërprenë shërbimin në interval të shkurtër kohor, në disa prej pikave kufitare, por pa sjellë pengesa në lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Konfirmojmë se pas ndërhyrjes së shkurtër, mbrëmjen e djeshme, sistemi TIMS vijon të jetë funksional, në të gjitha pikat kufitare.

Sqarojmë se edhe në ditët në vijim, do të ketë ndërprerje me afat të shkurtër kohor, në pika të ndryshme kufitare, për shkak të ndërhyrjeve të brendshme, me qëllim përmirësimin e performancës së sistemit TIMS.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e mediave që para se të publikojnë lajme që kanë impakt tek qytetarët, të kërkojë informacion zyrtar pranë strukturave përkatëse të Policisë së Shtetit.”