Vendosni fjalën kyçe....

Padi në Francë kundër gjigantit energjetik ‘TotalEnergies’: Po ndihmon Rusinë të kryejë krime lufte në Ukrainë


Dy grupe mjedisore kanë paditur kompaninë franceze të energjisë TotalEnergies se po ‘ndihmon e nxit krimet e luftës’ në Ukrainë.

Padia u depozitua nga ‘Razom We Stand’ dhe ‘Darwin Climax Coalition’ në zyrën e prokurorit antiterror në Paris.

Aktivistët e klimës akuzojnë TotalEnergies se përdor një fushë gazi në Rusi, e shfrytëzuar pjesërisht nga TotalEnergies, për të prodhuar karburant për avionët luftarakë rusë të përdorur në luftën në Ukrainë.

“Kompania e energjisë ndihmoi duke i siguruar qeverisë ruse mjetet e nevojshme për të kryer krime lufte.” – thuhej në padi.

Deri kohët e fundit, TotalEnergies mbante 49% të aksioneve në Terneftegaz, që shfrytëzon fushën e gazit Termokarstovoye në Siberi. Pjesa e mbetur prej 51% e kompanisë ishte në pronësi të kompanisë ruse Novatek, në të cilën TotalEnergies gjithashtu ka 19.4% të aksioneve.

Kompania energjetike ka mohuar akuzat e bëra nga aktivistët e klimës. Në përgjigje të një kërkese nga Anadolu Agency, zëdhënësi i shtypit Gael Baudet tha: “Dëshirojmë t’ju kujtojmë se kondensatat e paqëndrueshme të prodhuara nga Terneftegas, të cilat më pas stabilizohen nga Novatek në uzinën e saj Purovsky, u eksportuan jashtë vendit, siç tregohet nga Novatek: është prandaj e pamundur që ato të jenë përdorur nga ushtria ruse si lëndë djegëse për avionët e saj.”

Ai shtoi: “Sa i përket akuzave për ‘bashkëpunëtim në një krim lufte’, ato janë skandaloze dhe shpifëse. Fjalët e deklarata të tilla janë të papranueshme. Të jesh ‘bashkëpunëtor i krimeve të luftës’ do të thotë të ofrosh ndihmë të drejtpërdrejtë për një shtet apo organizatë kriminale që kryen krime. Këto akuza janë fyerje për integritetin e ekipeve tona dhe bien ndesh me vlerat tona.

Baudet theksoi më tej heqjen graduale të aktiviteteve në Rusi në masën që ato nuk kontribuojnë në furnizimin me energji të kontinentit. Sipas zëdhënësit, këtu përfshiheshin objektet për prodhimin e naftës (fusha Charyaga) dhe gazit për tregun lokal rus (fusha Termokarstovoye), të cilat u shitën, si dhe aktivitete të tjera lokale (lubrifikantë, bateri), të cilat u pezulluan.