Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthim i fuqishëm në Ravanusa të Italisë, katër të vdekur dhe 5 të zhdukur


Katër të vdekur dhe pesë të zhdukur, ky është bilanci, që po përkeqësohet nga ora në orë pas një shpërthimi të fuqishëm të ndodhur mbrëmjen e kaluar në Ravanusa, në Itali.

Sikurse raportojnë mediet e shtetit fqinj, një ndërtesë 4-katëshe u shkatërrua e tëra pas një shpërthimi që dyshohet se është shkaktuar nga një rrjedhje e madhe gazi nga tubacioni.

Dy gra u nxorën të gjalla nga rrënojat: një e moshuar 80-vjeçare u shtrua më pas në spital me fraktura të rënda dhe kunata e saj, të cilën shpëtuesit arritën ta gjurmonin nga zilja e celularit të saj.

Fatkeqësisht me kalimin e kohës, nga rrënojat janë nxjerrë edhe trupa të pajetë: tri gra dhe një mashkull. Puna e ekipeve të shpëtimit vazhdon pa pushim për të gjetur të tjerë të zhdukur, mes të cilëve thuhet se është edhe një infermiere e re shtatzënë dhe bashkëshorti i saj.

Kryebashkiaku Carmelo D’Angelo ka përjashtuar praninë e fëmijëve brenda ndërtesës. “Fatmirësisht në mesin e të zhdukurve nuk ka fëmijë. Lajmi se në rrënojat e objektit të shembur ka pasur dy të mitur tani është përgënjeshtruar.”– tha ai.

Gjatë natës janë shuar zjarret e ndryshme që u shfaqën pas shpërthimit të fuqishëm. Të paktën 50 persona u zhvendosën dhe mes tyre disa të moshuar.

Shkaqet e shpërthimit

Ekipet e para të zjarrfikësve që mbërritën gjetën një rrjedhje të madhe metani. “Aktivizimi i ashensorit mund të ketë shkaktuar edhe shpërthimin.”-tha komandanti i zjarrfikësve, Giuseppe Merendino.

“Në ditët në vijim do të kryejmë hetime më të hollësishme, është e sigurt që një shpërthim i tillë është një ngjarje e jashtëzakonshme.”- shtoi ai.  Shkaqet e këputjes së tubit mund të jenë moti i keq ose rrëshqitja e dheut. Prokurori ka hapur hetimet. Kompania Italgas që merret me shpërndarjen e gazit ka njoftuar nga ana tjetër se ka ndërmarrë hapa për sigurimin e të gjithë zonës.