Vendosni fjalën kyçe....

Kosova jep 100 euro për çdo pensionist, Meta: Ndihma e Ramës s’është as sa një kafe në ditë



Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pas vendimit të qeverisë së Kosovës për t’i dhënë pensionistëve 100 euro shtesë si ndihmë për të përballuar krizën.

Ish-presidenti thotë se ndihma e qeverisë shqiptare për pensionistët nuk është as sa një kafe në ditë. Kjo sepse sipas tij paratë shkojnë për inceneratorët dhe koncensionet.

“Pas Maqedonisë së Veriut, edhe Qeveria e Kosovës ndërmerr hapa konkretë për të mbështetur shtresat në nevojë për përballimin e krizës së rritjes së çmimeve dhe inflacionit të lartë.

100 euro shtesë do të jetë shuma që do të përfitojnë  pensionistët në Kosovë gjatë muajit tetor.

Po në Shqipëri? Ndihma e Qeverisë Rama për pensionistët nuk është as sa një kafe në ditë, sepse paratë ajo i shpërdoron dhe i vjedh për inceneratorët dhe koncensionet, ndërsa për pensionistët në Shqipëri jetesa është e papërballueshme.”– shkruan Meta.

Ky reagim i Metës vjen pasi qeveria e Kosovës ka marrë vendimin që të japë 100 euro ndihmë për pensionistët. Në mbledhjen e fundit të qeverisë së Kosovës është vendosur që të shkojnë mbi 28 milionë euro që qytetarët të kenë më të lehtë të përballojnë rritjen e çmimeve. Përvec pensionistëve, do jepen shtesë 50 euro në muaj për punëtorët e sektorit publik deri në fund të vitit dhe ndihma prej 100 eurosh për studentët.