Vendosni fjalën kyçe....

Kompanitë gjermane po mendojnë zhvendosjen në vende të tjera mes rritjes së çmimeve të energjisë


Paketa e ndihmës energjetike e Gjermanisë prej 200 miliardë eurosh (197 miliardë dollarë) do ofrojë lehtësim të kufizuar për bizneset dhe nuk ka gjasa t’u kthejë mendjen kompanive që tashmë po kërkojnë të zhvendosen në vende më të lira prodhuese jashtë shtetit.

Qeveria gjermane vendosi paketën e saj të lehtësimit të energjisë muajin e kaluar, duke përfshirë një frenim të çmimit të gazit dhe një ulje të taksës së shitjes për karburantin për të ndihmuar familjet dhe bizneset e vogla dhe të mesme të përballen me çmimet në rritje.

“Paketa e propozuar e lehtësimit të energjisë nuk do të ndryshojë asgjë në rendin e ditës për momentin. Ne ende duhet të gjejmë alternativa.” – tha për Reuters Mads Ryder, shefi ekzekutiv i prodhuesit të porcelanit me bazë në Bavari, ‘Rosenthal’.

Kompania, e themeluar në Gjermani 143 vjet më parë, ka kërkuar të zhvendosë një pjesë të prodhimit të saj jashtë Gjermanisë për të ulur kostot dhe Ryder tha se plani i gazit ishte ende shumë i paqartë për të bindur ‘Rosenthal’ që të rishqyrtojë planet e saj.

Këtë javë qeveria gjermane do zbulojë hollësi të tjera lidhur me paketën e ndihmës, që do zgjasë deri në pranverën e vitit 2024.

Kostot e larta të punës dhe të tjera shpenzime në Gjermani kanë shtyrë shumë kompani të zhvendosin pjesërisht ose gjithë biznesin e tyre në vende më të lira në ekonomitë evropiane në zhvillim dhe gjetkë.

Lars Feld, një këshilltar ekonomik i ministrit Gjerman të Financave, Christian Lindner, tha se kriza energjetike, e cila ka bërë që çmimet e gazit të rriten pas një kolapsi të furnizimeve me gaz rus në Evropë që nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë, po shtynte drejt këtyre vendimeve.

Ndërsa prodhuesit në Gjermani përballen me fatura energjie deri në 10 herë më shumë se sa paguanin dy vjet më parë, një në pesë firma inxhinierike pa rrezikun e zhvendosjes së të paktën disa prej bizneseve të tyre jashtë shtetit, tregoi një sondazh nga sindikata gjermane IG Metall muajin e kaluar.

Çmimet e larta të energjisë çuan në rritjen e inflacionit në Gjermani në 10.9% në shtator, niveli më i lartë në më shumë se një çerek shekulli, i cili nga ana tjetër po ushtron presion në rritje mbi pagat, duke shtuar kostot e punës.