Vendosni fjalën kyçe....

I tha Berishës “turp të të vijë”, Evi Kokalari: Nuk jam penduar, nuk bëri asgjë për manipulimet e votave


Aktivistja Evi Kokalari ka treguar sot arsyet që e çuan të kritikonte publikisht kryetarin e PD-së Sali Berisha, pas një mbështetje të fortë që kishte treguar mbi më shumë se një vit për të.

Në një lidhje direkte me emisionin “Pikat mbi i” në “News 24” Kokalari u shpreh se Berisha i kishte premtuar asaj se do ta kthente PD-në në konservatore, por nuk bëri asgjë për ato që ndodhën gjatë votimeve në strukturat drejtuese. Megjithatë ajo tha se nuk i ka dalë kundër, por vetëm e ka kritikuar ata.

“Kritika është gjithçka dhe të dalësh kundër është diçka tjetër. Unë nuk i kam dalë kundër Berishës, por e kam kritikuar që ka lënë të ndodhin disa gjëra nën hundën e tij dhe ai nuk i ka ndaluar. Ne e kemi paralajmëruar për gjëra që po ndodhnin. Dalja ime në krah të tij i solli shumë njerëz dhe ngriti shpresën në PD. Berisha këtë shfrytëzoi. Berisha më premtoi që çfarëdo që të bëja unë, ishte premtimi për kthimin e PD-së në parti konservatore. Berisha mori këdo që i doli në krah dhe fatkeqësisht mes tyre kishte disa persona që i besonte.

Problemi ishte se disa nga këta persona ishin pjesë e grupit të Bashës që kishin bërë manipulimet me të në të gjitha garat që kishte bërë Basha. Nëse ti sjell një PD të rithemeluar dhe ata vazhdojnë me zakonet e vjetra, PD nuk rithemelohet. Ky ka qenë konflikti bazë. Kritika ime nuk është se i dola kundër Berishës, por e kritikova pasi u lodha duke i thënë “ti nuk mund ta bësh një PD me këta njerëz që kanë manipuluar me Bashën”. i tregova manipulimet dhe prapë nuk bëri gjë. Këtu është një luftë mes mentalitetit të vjetër dhe mentalitetit të ri. Nuk mund të bëja indiferenten kur dija se çfarë ndodhi me Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar. Ajo shprehja “turp të të vijë Sali Berisha” më doli nga shpirti. Berisha ishte shpresa e fundit.”- tha Kokalari.

E pyetur nga analisti Artur Zheji nëse është penduar për statusin e saj ku i drejtohej Berishës me fjalët “turp të të vijë”, Kokalari tha se jo: “Nuk jam penduar. Këtë luftë e kam nisur që në maj kur isha në Shqipëri. Berisha më është gjendur për të parë votat. Ajo që më ka penduar ka qenë Albana Vokshi.”