Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhjet lokale/ Grupi i Alibeajt zgjedh Gazment Bardhin për të negociuar me Berishën për të dalë bashkë në zgjedhje me një kandidat të vetëm


Grupi i deputetëve demokratë të cilët janë mbështetës të Enkelejd Alibeajt kanë zgjedhur Gazment Bardhin për të negociuar me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe aleatët për të zgjedhur një kandidat të përbashkët në zgjedhjet lokale.

Në një njoftim për mediet, grupi i Alibeajt konsideron se zgjidhje e vetme për t’u përballur me qeverinë apo “regjimin” e kryeministrit Edi Rama siç e quajnë, është bashkimi i çdo zëri opozitar dhe përballja me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës.

“Pas diskutimeve në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, deputetët në mënyrë unanime shprehën vullnetin e plotë dhe të sinqertë për të gjetur format e duhura të bashkëpunimit për zgjedhjet lokale fillimisht duke nisur me të gjithë Partinë Demokratike dhe me cdo faktor opozitar.

Në vlerësimin e Grupit Parlamentar të PD zgjidhje e vetme për tu përballur me regjimin e Edi Ramës në zgjedhjet lokale është bashkimi i cdo zëri opozitar dhe përballja me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës në zgjedhje.

Me qëllim diskutimin e cdo mundësie të sinqertë për bashkëpunim, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka mandatuar zotin Gazment Bardhi për të kontaktuar dhe për të hulumtuar cdo mundësi bashkëpunimi dhe daljes në zgjedhje lokale me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës.”– thuhet në njoftim.

Më tej, grupi Parlamentar i PD-së shpreh gadishmërinë për të nisur që sot nga puna për të gjetur modalitetet e bashkëpunimit mes demokratëve në zgjedhjet lokale.