Vendosni fjalën kyçe....

Këshilla e Xhemal Qefalisë për Veliajn: Projektet e mëdha i mbaruat, koha të merreni me lagjet se s’do shkojnë të gjithë te “Sheshi Skënderbej”


Deputeti socialist Xhemal Qefalia thotë se kandidati i PS-së për kryeqytetin do të duhet të bëjë një fushatë konkrete.

Në një intervistë për “Fax News”, Qefalia tha se Erion Veliaj duhet të largohet nga projektet e mëdha si Sheshi Skënderbej apo Piramida dhe të merret konkretisht me gjërat e vogla, nëpër lagje. Pasi kjo është ajo që kërkon qytetari, për ta ndjerë kryeqytetin atje dhe jo të gjithë t’i drejtohen Sheshit apo Liqenit.

“Unë jam i bindur që kandidati i PS-së është një kandidat që ka dhënë provë se di të menaxhojë qytetin, di të sjellë produktivitet në qytetin e Tiranës. Natyrisht ka shumë gjëra për të bërë. Janë objekte që janë nisur dhe ende s’kanë përfunduar, janë objekte që presin të marrin frymëmarrje siç është Teatri. Por kryesisht objekte të mëdha social kulturore, kam parasysh Sheshin, kam parasysh Pazarin e ri, Kopshtin Zoologjik. Këto objektet e mëdha që duan kohë dhe harxhojnë edhe fondet si Piramida që po shkon drejt përfundimit, pra janë përfunduar. Kështu që besoj që mandati tjetër i zotit Veliaj është një mandat i cili duhet t’u shërbejë drejtpërdrejt qytetarëve… nëpër lagje, nëpër zona, nëpër shtëpi… për ta ndjerë atje kryeqytetin.

Në rrugët, me asfaltimet, me ndriçimin… për ta sjellë zhvillimin në lagje. Për të mos patur mundësinë për të thënë ‘Po ne bëmë Sheshin Skënderbej dhe të gjithë të argëtohemi atje’. Fare mirë pranë televizionit tuaj mund të jetë një qendër që të jetë në shërbim të komunitetit që të mos rendin të gjithë te sheshi apo te liqeni.

Kështu që në këtë aspekt mendoj që ka ardhur koha që edhe fushata elektorale të jetë një fushatë konkrete për të depërtuar shtëpi më shtëpi, lagje më lagje, dhe për të sjellë atje ndryshimin dhe progresin, që besoj se do jetë shumë i dukshëm.”- tha Qefalia.